Lulzim Hoxha


Debati i fundit mbi godinën e re të Teatrit Kombëtar ka risjellë në ligjërimin publik shqetësimin për rolin që duhet të ketë teatri në qytet. Por meqenëse zbehja e funksionit politik të teatrit në shoqërinë moderne është një çështje që i përket epokës sonë më tepër sesa vendit tonë, në përmasat e veta partikulare, diskutimi mbi natyrën e teatrit te ne ia ka lënë vendin debatit mbi vendndodhjen fizike të teatrit.


E nëse shqetësimi mbi vendndodhjen e një gjëje mbart kaq shumë fuqi kuptimore sa të zëvendësojë shqetësimin mbi natyrën e kësaj gjëje, kohët e fundit mund të themi se të shkosh NË teatër është reduktuar në të shkuarit TE teatri. Në masën që teatri si i tillë në esencën e vet mbetet i mbërthyer nga hapësira e vet fizike dhe historinë e së shkuarës, e vetmja mënyrë se si ai mund ti flasë shoqërisë është përmes godinës së teatrit.


Një nga shpjegimet që i jepet shkakut pse teatri në shoqërinë moderne nuk e ka më rolin e dikurshëm është arsyeja se sot njerëzit në jetën e përditshme i kanë shumëfishuar kaq shumë rolet e tyre saqë aktorëve në skenën e teatrit nuk u mbetet të bëjnë as më shumë e as më pak sesa njerëzit e zakonshëm jashte skene. Në të njëjtin kuptim, sipas këtij perceptimi, aktorët e teatrit që kërkojnë riparimin e godinës aktuale, në sytë e një publiku të përthithur nga e përditshmja, mund të duken si njerëz të cilët si shumë shqiptarë të tjerë kanë probleme me banesën ku jetojnë e që mund të zgjidhet fare mirë (si shumica e gjërave që kanë të bëjnë me banesat) me një ndërtim shumëkatësh. Prandaj, pyetjen: çpërfaqëson dhe çnatyrë ka teatri në një shoqëri si kjo e jona? Mund ta zëvendësojmë pa pikë problemi me një pyetje vendndodhjeje: ku ta vendosim godinën, pra hapësirën fizike të teatrit?


Thënë me fjalë të tjera: Ku ta çojmë këtë objekt, përmbajtjen e të cilit nuk e njohim, por që na është thënë se është një hapësirë fizike pa të cilën qyteti nuk bën dot. Në mënyrë të ngjashme duket të jenë zëvendësuar edhe kuptimet e institucioneve të tjera në qytet, a thua se e vetmja mënyrë që ta kuptojmë natyrën e një institucioni është nëpërmjet godinës së betonit që përbën hapësirën e saj fizike. Sipas të njëjtës mendësi, të shkuarit NË universitet përkthehet në të shkuarit TE universiteti, kurse të shkuarit në bibliotekë përkthehet në takohemi TE biblioteka. Mënyra se si institucionet si vendndodhje paraqesin një shkallë më të fortë kuptimore sesa natyra e këtyre institucioneve, të bën të mendosh mbi mënyrën se si shteti arrin të krijojnë legjitimitetin e mjaftueshëm te qytetarët dhe se si këta të fundit i legjitimojnë këto institucione të cilat në masën dërrmuese nuk shfaqen veçse në trajtë godinash.


Nëse mbështetemi në arsyetimin se ekzistenca fizike e një gjëje, afirmon ekzistencën e gjësë në vetvete, ndoshta ky qytet do të kishte universitetet, kinematë dhe bibliotekat më të mira në botë.


Eshtë arritje jo pak e rëndësishme që studentëve, pedagogëve, aktorëve, regjisorëve,spektatorëve, lexuesve u është gjetur të gjithëve nga një banesë që mban emrin e një institucioni në mënyrë që ta ushtrojnë veprimtarinë e tyre. Për pasojë, në emër të ruajtjes së një institucioni, kemi sakrifikuar kuptimin dhe natyrën e këtij institucioni vetëm për ti siguruar këtij të fundit një banesë. Mirëpo fakti se një gjë gjendet në një godinë, nuk është tregues se kjo gjë vazhdon ta ruajë kuptimin e vet, se për atë punë edhe objektet që gjenden në muzé e kanë një banesë, pavarësisht se nuk e ruajnë më kuptimin apo dobinë e dikurshme. Njësoj si objektet e së shkuarës në muzé, edhe vendndodhjet apo godinat jashtë muzeut janë kthyer në shenja apo simbole të privuara nga kuptimi, çka do të thotë të privuara nga vetja.


Shenjat në formë godinash, në vetvete janë objekte frymore pa jetë, ato frymojnë vetëm në momentin kur institucionet e vendosura atje kanë një përmbajtje e jo thjesht një banesë. E për aq sa shenjat shpërfaqen në gjendjen e tyre në trajtë vendndodhjesh, jeta e njeriut zhvendoset vazhdimisht nga njëri ambient te tjetri (Nga te teatri për te universiteti) pa qenë realisht pjesë e kuptimit që këto institucione mbartin.


Mirëpo nëse intensiteti i jetës është në proporcion të drejtë me rrugëtimet sa në njërën godinë te tjetra, godinat e ndryshme meqënëse kanë të njëjtin funksion, priren ti ngjajnë gjithnjë e më shumë njëra tjetrës. Nëse e pranojmë këtë, do të ishte brenda normalitetit të kësaj gjendjeje që godinës aktuale të teatrit ti shtoheshin përmasat fizike në të njëjtën masë që pakësohet numri i njerëzve që shkojnë NË teatër.


25 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)