02/12/2009  Qendra Shqiptare e Rehabilitimit të Traumës dhe Torturës


TIRANË- Qendra Shqiptare e Rehabilitimit të Traumës dhe Torturës u rikërkon krerëve të shtetit që ta shpallin 20 shkurtin “Dita e rrëzimit të simboleve komuniste dhe e nderimit të viktimave të regjimit komunist” si dhe të ngrihet një monument në nderim të viktimave të diktaturës komuniste. Drejtori i kësaj qendre, Adrian Kati, i ka dërguar një letër të hapur Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, Këshillit të Ministrave, Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Avokatit të Popullit dhe organizmave të huaja, ku kërkon me insistim që 20 shkurti i vitit 1991 të përkujtohet nga këto institucione dhe të përcaktohet si “Dita e rrëzimit të simboleve komuniste dhe e nderimit të viktimave të regjimit komunist”. Në letrën e saj, mes të tjerave, qendra shprehet “Më 20 shkurt 1991, afro 100 mijë protestues të Tiranës dhe me dhjetëra mijëra ish-protestues të qyteteve të Korçës, Gjirokastrës, etj, rrëzuan monumentet e diktatorit dhe simbolet komuniste. Kjo është dita e rrëzimit të murit të Berlinit shqiptar. Është gabim i rëndë dhe i pafalshëm i politikës shqiptare që për afro 19 vjet e ka lënë në heshtje këtë ditë të shënuar të demokracisë. Bazuar në dispozitat ligjore 20 shkurti i vitit 1999 të shpallet “Dita e rrëzimit të simboleve komuniste dhe e nderimit të viktimave të regjimit komunist”. Kjo ditë duhet të jetë festa kombëtare më e madhe e demokracisë në vendin tonë. Shprehim besimin se Kuvendi i Shqipërisë dhe Këshilli i Ministrave do të plotësojnë këto dy kërkesa të shtresës së ish-të përndjekurve”. Ndërkaq, në letër kërkohet edhe ngritja e një monumenti në nderim të viktimave të regjimit komunist.