Në shumë vende të botës, të sjellësh në jetë një fëmijë mund të jetë një rrezik. Sipas raportit të fundit të UNICEF-it, më shumë se 500 mijë gra vdesin çdo vit në botë, si pasojë e shtatzënisë ose lindjes së vështirë. "Që nga viti 1990, numri i vdekjes së foshnjave është ulur, ndërsa vdekshmëria që lidhet me lindjen mbetet një problem shumë shqetësues", shpjegon dokumenti. Shpesh, vdekja e nënave lidhet me lindjen e foshnjave: çdo vit, pothuajse 4 milionë foshnja vdesin 28 ditë pas lindjes. Shumë prej tyre nuk arrijnë të mbijetojnë, por vdesin pak kohë pasi nënat kanë ndërruar jetë. Sipas disa kërkimeve të bëra në Afganistan, 74 për qind e foshnjave që lindin gjallë nga nëna të vdekura, nuk mbijetojnë pas lindjes.



Në Afrikë dhe Azi është e përqendruar më shumë se 95 për qind e vdekshmërisë së nënave dhe pothuajse 90 për qind e foshnjave të sapolindura. Sierra Leone ka përqindjen më të lartë të vdekshmërisë së nënave, ndërsa Nigeria dhe India regjistrojnë një të tretën e të vdekurve të gjithë botës. Pavarësisht sforcimit të dy viteve të fundit, hendeku që ndan vendet e pasura nga ato të varfra është shumë i madh: më shumë se 99 për qind e vdekjeve ndodhin në vendet në zhvillim. Në Afrikën Qendrore dhe Perëndimore regjistrohen 1100 nëna të vdekura në çdo 100 mijë lindje, ndërkohë që në vendet e industrializuara ndodhin tetë ose nëntë raste të tilla. Këto shifra kanë mbetur të pandryshuara nga viti 1900 deri në 2005-ën. "Për një grua që jeton në vendet e varfra, rreziku për të vdekur nga komplikacionet e lidhura me shtatzëninë dhe lindjen është 300 herë më i lartë se ai i një gruaje që jeton në një vend të industrializuar", shpjegon UNICEF. "Në asnjë vend tjetër të botës, numri i vdekshmërisë së nënave nuk është kaq i lartë".



Shkaqet e këtyre përqindjeve kaq të larta dihen. Në vendet e varfra gratë lindin në shtëpi, pa kontrollin mjekësor dhe pa ndihmën e njerëzve të specializuar. "Pjesa më e madhe e vdekjeve lidhet me komplikacionet obstetrike: hemorragji pas lindjes, infeksion, eklampsi, dhembje të vazhdueshme ose lindje e vështirë", lexohet në raport.



Veç të tjerash, në këto vende, malaria, anemia, SIDA dhe parazitët e zorrëve dobësojnë gratë shtatzëna.



Një problem kulturor



Për të sapolindurit, faktorët e rrezikut lidhen ngushtë me gjendjen shëndetësore dhe kushtet e jetesës së nënave. Vonesa e rritjes brenda në barkun e nënës është një prej shkaqeve kryesore të vdekjes së foshnjave. Pesha e pamjaftueshme, edhe kjo një vonesë e rritjes, lidhet me mosushqyerjen dhe kushtet e këqija të shëndetit të nënës.



Duke parë këtë situatë të tmerrshme, nga viti 1990-2005, shoqata "Objektivat për zhvillimin e mijëvjeçarit" ka parashikuar uljen deri në 75 për qind të vdekshmërisë së nënave dhe foshnjave. Por sipas UNICEF-it, ky objektiv nuk mund të arrihet. "Studimet tregojnë se 80 për qind e vdekshmërisë së nënave mund të shmanget nëse gratë u nënshtrohen mjekimeve bazë", thotë drejtoresha e përgjithshme e UNICEF. Ka zgjidhje më pak të kushtueshme që mund të ulin numrin e vdekjes së nënave dhe foshnjave. Disa prej tyre janë përmirësimi i kushteve higjienike dhe ushqyese, përdorimi i kurave efikase para lindjes, prania e një mjeku specialist gjatë lindjes, vizita të herëpashershme pas lindjes etj. Përveç këtyre, duhet të shpërndahen edhe dezinfektues për të mbrojtur gratë shtatzëna nga bakteret dhe mikrobet e shumta. Por, për të qenë sa më efikase, këto masa duhet të përdoren me përpikëri nga gratë që jetojnë në vendet në zhvillim, për të përmirësuar kështu gjendjen e tyre shëndetësore. Masa e parë është planifikimi familjar, më pas lufta kundër dhunës seksuale, martesave me shkuesi dhe shtatzënive të parakohshme. Në këtë mënyrë, UNICEF kërkon një kujdes jo vetëm shëndetësor, por edhe kulturor, ekonomik dhe social.





Raporti i UNICEF-it



Në botë, gjatë vitit 2007 kanë vdekur 9.2 milionë fëmijë nën moshën 5-vjeçare. 51 për qind e vdekjeve kanë ndodhur në Afrikë, ndërsa 41 për qind në Azi. Në vitin 2004, vendet me vdekshmërinë më të lartë të fëmijëve ishin Liberia (66 mijë), Bregu i Fildishtë (65 mijë) dhe Iraku (63 mijë).



Në vitin 2005, në botë kanë vdekur 528 mijë gra për shkaqe të lidhura me lindjen. 51 për qind e vdekjeve kanë ndodhur në Afrikë, ndërsa 43 për qind në Azi.