Nga Jetmir Halilaj

Edicioni i eliminatoreve Euro 2008 ka qenë i mbushur plot me surpriza për Kombëtaren shqiptare. Gjatë kohës që në krye të kuqezinjve ka drejtuar trajneri Oto Baric përfaqësueses nuk i kanë munguar asnjëherë momentet pikante, pavarësisht se shumë prej tyre kanë qenë të paparashikuara.
Lika
Ilion Lika e nisi edicionin si portier titullar i kuqezinjve, por në muajin mars gardiani jo vetëm që mbeti pa skuadër për shkak të problemeve me ish-klubin e tij Dinamo, por humbi edhe Kombëtaren. Ishin të shumtë ata që mendonin se 27-vjecari do të ishte portieri i përfaqësueses deri në fund të edicionit por gjërat morën një rrjedhë të paparashikuar për portierin, i cili mundi të rivishte fanellën kuqezi vetëm në ndeshjen kundër Bullgarisë më 13 tetor, pasi Baric e thirri si portier të tretë.
Kastrati
U prit me shumë në radhët e Kombëtares, por mjaftoi vetëm një pjesë loje kundër Bullgarisë që ta humbiste vendin në Kombëtare. Më 6 shtator të vitit të kaluar gjithë prozhektorët u drejtuan tek sulmuesi 28-vjecar kur Baric vendosi ta fuste në fushën e lojës në pjesën e dytë. Pak minuta pasi kosovari kishte hyrë në fushë bëri një gafë që penalizoi Shqipërinë. Lojtari ktheu një top krejtësisht të gabuar, i cili rezultoi një asist perfekt për sulmuesin Marica, i cili nuk e pati të vështirë të ndëshkonte Beqajn dhe të kalonte skuadrën e tij në avantazh. Pas asaj ndeshjeje Kastrati nuk u grumbullua më jo vetëm për gafën që bëri, por edhe për shkak se pësoi një dëmtim shumë të rëndë (theu këmbën) që e mbajti jashtë gjithë sezonin.
Largimet
Ndoshta nuk është parë në asnjë skuadër tjetër Kombëtare që trajneri i saj të lërë jashtë kapitenin në mes të edicionit. Sigurisht që Baric kishte arsyet e veta për të mos grumbulluar në dy ndeshjet e muajit mars Igli Taren, por përjashtimi i tij në mes të edicionit ishte paksa i papritur, aq më tepër që në krye të skuadrës nuk kishte pasur ndërrim trajnerësh. Përvec sulmuesit të Lacios trajneri kroat vendosi të mos grumbullonte as Aliajn, Hasin, Skelën dhe Muratin. Nga të larguarit u kthye vetëm Ervin Skela, i cili arriti të bindte Baricin se është një element i nevojshëm për Kombëtaren.
Tare-Duka
Ish-kapiteni i Kombëtares, Igli Tare dhe presidenti i Federatës, Armand Duka cilësoheshin si miq të mirë deri në momentin që Tare nuk u grumbullua më nga Baric. Madje presidenti i FSHF-së deklaroi publikisht se i kishte sugjeruar Baricit që të mos e linte jashtë Taren. Megjithatë ky i fundit shpërtheu në kritika dhe në akuza kundrejt Dukës, duke e cilësuar atë si njeriun që komandon gjithcka jo vetëm në Federatë, por edhe në Kombëtare. Sulmuesi tha se ishte vetë Duka ai që e përjashtoi nga Kombëtarja dhe se Baric ishte një kukull e presidentit të FSHF-së. Pas kësaj erdhi edhe reagimi ironik i kreut të Federatës: Jam përpjekur që të shoh ndonjë biond që të luajë tek Lacio, por atë e shoh vetën në tribunë.
Murati
Nuk ndodh shpesh që një lojtar t'i thotë trajnerit të tij "plak matuf" dhe më pas ai ta grumbullojë sërish në skuadër. I tillë është rasti i mesfushorit Edvin Murati, i cili pasi u la jashtë Kombëtares në muajin mars lëshoi deklarata të rënda në adresë të teknikut, duke e cilësuar atë një plak matuf. Megjithatë tekniku kroat u tregua i duruar, madje vendosi ta grumbullonte për miqësoren jo zyrtare kundër Anglisë "B". Ky ishte shansi i vetëm që Baric i dha Muratit, sepse nuk e grumbulloi më mesfushorin e Panserraikosit.
Bogdani
Erjon Bogdani cilësohet si sulmuesi kryesor i Kombëtares shqiptare dhe gjatë këtij edicioni ka bërë paraqitje të mira, por i ka munguar goli. Ndodh rrallë që sulmuesi kryesor i një skuadre kombëtare, (një qendërsulmues i mirëfilltë), të mos shënojë asnjë gol gjatë gjithë edicionit. Ndoshta përgjegjësia nuk është vetëm e tija, pasi në shumë raste i është dashur të bëjë rolin e mbrojtësit
Kapllani
Bomberi durrsak është i vetmi sulmues i Kombëtares që ka mundur të shënojë (3 gola) gjatë këtij edicioni. E megjithatë ai nuk u grumbullua për ndeshjet kundër Sllovenisë dhe Bullgarisë. Shkak për lënien jashtë të lojtarit u bë një akt nervozizmi i tij në pushim të ndeshjes me Holandën teksa i ka kërkuar shpjegime të tepërta Baricit për zëvendësimin pas pjesës së parë. Është i pashpjegueshëm fakti që ai vitin e kaluar ishte golashënuesi më i mirë i Bundesligës 2, ndërsa këtë sezon nuk ka shënuar asnjëherë.
Minutat e fundit
Ndeshja me Bullgarinë ishte paradoks i asaj me Holandën. Kundër "tulipanëve" më 12 shtator u ndëshkuam në minutën e fundit nga një gol i Van Nistëlroit, ndërsa kundër Bullgarisë, gjyqtari akordoi 11-metërsh pikërisht në sekondat e fundit të kohës së rregullt, por Skela nuk mundi të shënonte nga pika e bardhë e 11-metërshit, cka do t'i kishte dhënë tri pikët Shqipërisë.
Rekordet
Asnjëherë më parë në historinë e saj përfaqësuesja shqiptare nuk ka mundur që të ketë një golavarazh pozitiv dy ndeshje para përfundimit të edicionit. Kuqezinjtë aktualisht kanë 9 gola të shënuar dhe tetë të pësuar. Përpos kësaj asnjëherë më parë Shqipëria nuk kishte mundur të merrte 6 pikë në ndeshjet në transfertë. Në takimet jashtë kuqezinjtë kanë barazuar me Bjellorusinë (2-2), Bullgarinë (0-0) dhe Slloveninë (0-0). Skuadra shqiptare ka fituar kundër Luksemburgut (3-0). Një tjetër rekord është edhe fakti që skuadra kuqezi nuk ka pësuar gol katër ndeshje radhazi gjatë këtij edicioni. Beqaj e mbajti portën të paprekur në ndeshjet kundër Sllovenisë, Bullgarisë dhe dy ndeshjet me Luksemburgun.
Celulari
Në futboll ndodhin nga të gjitha, por t'i vidhet celulari trajnerit të një Kombëtareje, kjo nuk ka pasur precedent. Dy ditë para ndeshjes me Holandën, Baricit i humbi celulari. Fillimisht u mendua se mund ta kishte harruar telefonin në fushën stërvitore në Shijak, por më pas u kujtua se e kishte pasur celularin para se të hynte në konferencën për shtyp dhe ka dalë prej andej pa telefon. Burime pranë teknikut bënë të ditur se ai e kishte harruar telefonin në tavolinë pas konferencës, por kur është kthyer nuk e ka gjetur më. Megjithatë ky problem u zgjidh një ditë më vonë, kur një biznesmen nga Tirana vendosi t'i dhuronte trajnerit një celular të ri.
Dënimet
Dikur trajneri Baric kritikonte Lorik Canën për ndëshkimet e shpeshta me të verdhë, sepse në këtë mënyrë penalizonte skuadrën, por kundër Bullgarisë e bëri edhe ai një gabim të tillë. Trajneri do të mungojë në dy ndeshjet e ardhshme, pas kartonit të kuq kundër Bullgarisë. Është hera e parë që Kombëtarja shqiptare luan katër ndeshje brenda një edicioni pa trajnerin e saj të parë. Baric mungoi në mars me Sllovenisë sepse u sëmur, me Bullgarinë në Tiranë u ndëshkua me karton të kuq dhe dy ndeshjet e ardhshme do të mungojë sërish për shkak të dënimit nga UEFA.

Paradoksi: Baric realizon objektivat, por është Duka i pakënaqur
Kur Baric mori detyrën e trajnerit të Shqipërisë, drejtuesit e Federatës bënë c'ishte e mundur që të mos zbardheshin klauzolat e kontratës që nënshkroi Baric dhe ia arritën me sukses këtë gjë. Përpos kësaj, kroati karizmaktik arriti të mbajë dy premtime të rëndësishme të cilat i bëri në fillim të aventurës kuqezi, pa ia kërkuar askush. "Në fund të edicionit kombëtarja shqiptare do të ketë një fytyrë të re dhe të jeni të bindur se unë megjithëse jam në një moshë të madhe do ta rinovoj atë dhe do ta ngjit një vazo më lart". Premtimin e parë e realizoi, pasi përfaqësuesja aktuale është e përbërë nga shumë emra të rinj dhe një pjesë e mirë e veteranëve tani nuk figurojnë më në listën kuqezi. Përpos kësaj është shumë pranë ngjitjes një vazo më lart dhe gjithashtu është shumë pranë thyerjes së rekordit prej 13 pikësh të vendosur nga paraardhësi i tij, Brigel. Aktualisht kroati është shumë pranë objektivave të vetëvendosur, pasi Shqipëria ka aktualisht 11 pikë dhe dy ndeshje të tjera në dispozicion. Megjithatë kjo nuk është e mjaftueshme për presidentin e Federatës, Armand Duka, i cili duket se nuk e ka me shumë qejf t'i rinovojë kontratën 75-vjecarit dhe po mendon për të tjerë kandidatë, një ndër të cilët është edhe slloveni Srecko Katanec, që aktualisht drejton Maqedoninë. Burime pranë FSHF-së pohojnë se Duka është gati të përdorë të njëjtin skenar si me Brigelin për të larguar kroatin, nëse Katanec thotë po.

Surprizat e Baricit
Berisha
Besart Berisha është padyshim një ndër lojtarët më premtues të përfaqësueses shqiptare. Pas një starti jo fort bindës me fanellën kuqezi, ai arriti të fitojë një vend titullari dhe të shndërrohet në një element i rëndësishëm. I pafat sepse pësoi një dëmtim të rëndë dhe e humbi këtë sezon.

Vangjeli
Është padyshim një nga lojtarët që u fitua falë trajnerit Baric. Mbrojtësit 22-vjecar nuk i mungonte talenti, por ishte tekniku kroat ai që i besoi verbërisht kundër Holandës dhe korcari arriti të bindte teknikun se mund t'i shërbejë përfaqësueses shqiptare në të ardhmen.

Salihi
Në fillim të edicionit cilësohej si një zgjedhje e katërt apo e pestë në repartin e sulmit, por pas transferimit të tij në Austri dhe paraqitjeve të mira me Riedin arriti të fitonte më shumë hapësira. Kundër Bullgarisë luajti titullar përkrah Bogdanit. Jo më kot Baric e quan "Gerd Myleri" i Shqipërisë.

Bylykbashi
Ish-kapiteni i Partizanit u rikthye në radhët e Kombëtares, pas paraqitjeve të mira që ka bërë me ukrainasit e Krivbasit. Bylykbashi konkurron për një vend si fantazist me Skelën, Mukën, Duron e Hykën. Ky i fundit është gjithashtu një zbulim i këtij edicioni.

Dede
Nevil Dede nuk mund të quhet një zbulim i ri, por nëse ai ka luajtur si titullar në pjesën dërrmuese të ndeshjeve të këtij edicioni dhe nëse tani është një element fiks i Kombëtares, kjo është meritë e Baricit që vendosi të rikthente në përfaqësuese qendërmbrojtësin e Tiranës.

Shifrat e Kombetares
75
Vjec është trajneri i Kombëtares shqiptare dhe aktualisht trajneri më i vjetër në aktivitet në kontinentin evropian. Baric e mori drejtimin e Shqipërisë në fillim të korrikut të vitit 2006. Kontrata e tij skadon më 31 dhjetor të këtij viti.

6
Pikë ka mundur të marrë përfaqësuesja shqiptare në ndeshjet në transfertë gjatë këtij edicioni, gjë që nuk ka mundur ta bëjë kurrë më parë në historinë e saj. Kuqezinjtë si asnjëherë tjetër nuk kanë pësuar gol në katër ndeshje radhazi.

2
gjyqtarët që kanë drejtuar ndeshjet e kuqezinjve me Holandën do të mbahen mend gjatë nga tifozët shqiptarë. Në ndeshjen e parë izraeliti Alon Jefet na mohoi 3 penallti, ndërsa në të dytën anglezi Majkëll Rili anuloi një gol të rregullt.

5
Janë futbollistët që u lanë jashtë përfaqësueses nga trajneri i Kombëtares, Oto Baric. Bëhet fjalë për Igli Tare, Adrian Aliajn, Edvin Muratin, Besnik Hasin dhe Florian Myrtajn. Asnjë trajner më parë nuk kishte guxuar të përplasej me këta emra.

7
Mijë euro për kokë morën lojtarët e Kombëtares shqiptare pas dy fitoreve kundër Luksemburgut. Një shumë e konsiderueshme kjo nëse merret parasysh niveli i kundërshtarit. Lojtarët duhej të merrnin nga pesë mijë euro, por FSHF shtoi edhe dy mijë euro ekstra.

2
Penallti i kanë dhënë gjyqtarët Shqipërisë gjatë këtij edicioni dhe të dyja i ka ekzekutuar Ervin Skela. Mesfushori shënoi gol kundër Bjellorusisë, ndërsa gaboi në ndeshjen me Bullgarinë. Këtë edicion nuk është akorduar asnjë penallti kundër Shqipërisë.

6
Janë futbollistët e Kombëtares shqiptare që kanë shënuar gola gjatë eliminatoreve të këtij Evropianit 2008. Edmond Kapllani (3), Ervin Skela (2), Altin Haxhi (1), Besnik Hasi (1), Debatik Curri (1) dhe Klodian Duro (1).

0
Asnjëherë në historinë e saj Kombëtarja nuk është detyruar të luajë 4 ndeshje brenda një edicioni pa trajnerin e saj të parë. Baric mungoi me Slloveninë në mars sepse u sëmur, me Bullgarisë mori të kuq dhe për pasojë do mungojë edhe dy ndeshjet e fundit.

3
Ishin futbollistët për të cilët u interesua vazhdimisht trajneri Oto Baric, por që ata nuk mund të luanin me Shqipërinë, pasi kishin veshur më parë fanella të përfaqësueseve të tjera. Bëhet fjalë për Ronald Gërxhaliun, Jurgen Gjasulën dhe Sotir Ninin.