Në një emision televiziv, të verbrit u shprehën se falja e kërkuar nga biznesmeni ishte një fyerje përtej dhunës





TIRANË - "Nuk dolëm për të lypur bukë, por për të kërkuar të drejtat tona". Kështu u shpreh Fatime Muçmeraj lidhur me dhunimin që iu bë motrës së saj para Kryeministrisë nga biznesmeni Pëllumb Borshi, duke iu përgjigjur edhe "kërkesës së tij për falje" me shprehjen: "Vë në dispozicion biznesin tim ndaj personave të verbër dhe ata që janë në një minimum jetik, si dhe që janë ndier keq nga ajo situatë".





Duke diskutuar në një emision televiziv, Fatime Muçmeraj, e cila shoqëronte motrën e verbër Sadberen, që ishte viktimë e dhunës së Borshit, theksoi se e ashtuquajtura falje publike e bërë nga biznesmeni ishte shumë e turpshme.





Duke hedhur poshtë "ofertën" e bërë, ajo tha se dhunuesi nuk mund të fyente akoma më tepër personat që kishte dhunuar duke deklaruar se do t'i mbante me bukë. "Ne s'kemi dalë për të lypur bukë. Kemi dalë që të kërkojmë të drejtën e cila është mohuar që në 2005. Dhe ai nuk kishte nevojë të merrte turpin e qeverisë mbi shpatullat e tij",- theksoi Muçmeraj.





Vetë e dhunuara mes lotësh kujtoi ngjarjen e shëmtuar të së enjtes. "Më tepër se një dëm fizik, është një dëm moral",- u shpreh Sadberja. Ajo tha se që foshnjë kishte dëshiruar të njihte të afërmit e saj, prindërit, por nuk kishte mundur për shkak të verbërisë, por dhunën e ushtruar nga biznesmeni ndaj saj, ajo e barazoi pikërisht me fatkeqësinë që kishte pasur gjatë gjithë jetës së saj.





"Nuk e kuptoj se si ka mundësi që një qytetar të dhunojë një grua të verbër, të cilën për më tepër nuk e ka njohur kurrë. Nuk e kuptoj se pse duhet të më qëllojë me grushta kokës...





Ne nuk po i bënim asgjë atij, thjesht po kërkonim të drejtat tona",- u shpreh Muçmeraj në fjalën e saj. Fatime Muçmeraj, motra e së verbrës, njëkohësisht shoqëruesja e saj, së bashku me Fran Gjolaj, një tjetër invalid për shkak të verbërisë, ishin njëkohësisht protagonistë të dhunës.





Ndërkohë, vetë biznesmeni Pëllumb Borshi u shpreh se ngjarja kishte ndodhur pasi ai ishte gjendur nën presionin e një dite me stres e lodhje.





Për dhunën e ushtruar ndaj tyre, në lidhjen e drejtpërdrejtë në emisionin televiziv, Borshi u shpreh se do të vinte në dispozicion biznesin e tij. por, megjithë përpjekjet për të kërkuar falje, biznesmeni nuk harroi të theksojë se i gjithë sulmi që po i bëhej atij ishte politik!!!





Të verbrit u dhunuan ditën e enjte teksa ishin............................. lidhur para kryeministrisë për të kërkuar të drejtat e tyre. Biznesmeni Pëllumb Borshi qëlloi me grushta tre prej pjesëmarrësve në protestë. Fillimisht ai deklaroi se ishte nxehur për shkak se dëshironte të mbaronte punë shpejt dhe se po pengohej nga të verbrit, çka çoi dhe në dhunën ndaj tyre.





Pas kësaj, biznesmeni u largua i shoqëruar nga gardisti në sytë e të cilit u ushtrua edhe dhuna, i cili, përveç faktit që nuk ndërhyri, e përcolli Borshin me një puthje.