Në kuadër të përgatitjes së disa aktiviteteve për rijetëzimin e monumenteve të kulturës, të ndërmarra nga projekti kulturor shqiptaro-italian "Archadrin", dje ishte për një vizitë pune në Gjirokastër, regjisori italian, Pier Luigi Pizzi, i njohur në Itali për drejtimin e dy aktiviteteve te mëdha si "Stina Lirike 2009" që mbahet në Macerata dhe "Seferisterio Opera Festival 2009". Gjatë qëndrimit në Gjirokastër, ai vizitoi dy nga monumentet më të rëndësishme të Luginës së Drinos, teatrin antik të Hadrianopolit dhe kështjellën madhështore mesjetare të Gjirokastrës. Për Maestro Pizzin, këto monumente janë mjaft të përshtatshme për të kryer veprimtari kulturore më peshë për shikuesit vendas dhe vizitorët e huaj. Pas vizitave në Teatrin e Hadrianopolit dhe në Kalanë e Gjirokastrës ai u shpreh mjaft optimist dhe i gatshëm të ndërmarrë iniciativën e organizimit të dy veprimtarive të mëdha kulturore. "Janë të gjitha mundësitë që në këto monumente që u përkasin dy kohëve të ndryshme historike, antikitetit dhe Mesjetës, të realizohen aktivitete kulturore të cilat në të njëjtën kohë mund të shërbejnë shumë mirë edhe si guidë turistike për vendin", u shpreh regjisori italian gjatë një konference për shtyp mbajtur në mjediset e Hadrianopolit ku vazhdojnë njëkohësisht edhe gërmimet arkeologjike të ekspeditës shqiptaro-italiane për zgjerimin e rrënojave të qytetit romak. Projekti "Archadrin", theksoi zoti Pizzi, është një iniciativë me vlera që parashikon rijetëzimin e monumenteve, si dhe vënien e tyre në funksion të zhvillimit të turizmit dhe shtimin e të ardhurave për komunitetet e banorëve që jetojnë pranë këtyre monumenteve. Sipas tij parashikohet që në teatrin antik të Hadrianopolit të vihet në skenë një pjesë nga tragjeditë antike, ndërkohë që në kështjellën e Gjirokastrës do të ketë një koncert të ndërthurur. Përveç takimeve të punës, ai zhvilloi takime edhe me ekspertët e monumenteve dhe arkeologjisë.