Për të dytin vit radhazi, Tirana mirëpret Festivalin e Resë ose “Cloud Fest”, i cili do të mbahet nga data 18 Maj ora 20:00 deri më 27 Maj ora 02:00. Fokusi i këtij viti do të jetë kryesisht në artin performues duke sjellë një larmi ndërdimensionale me mbi 10 ditë program, 120 artistë nga 15 shtete duke përfshirë 4 ansamble shtetërore, një simpozium filozofik, meditim në grup, performanca letrare, trajnim 2 ditor për karrierë në arte e kurse me koreografë për profesionistë si edhe kurse vallëzimi për publikun.


Në dy vjetorin e saj, REJA dhe lulishtja e saj pranë Galerisë Kombëtare të Arteve, do të jenë hapësirat për teatër fizik, instalacione audio-vizuale, bashkëbisedime me artistë, lojëra urbane, piknik e after-party. Përgjatë gjithë ditëve dhe netëve të festivalit, publiku do të mund të gjejë përzierjen më të mirë.


Të gjitha performancat që do të organizohen te REJA gjatë ditëve të Festivalit, do të jenë pa pagesë edhe mikpritëse për të gjithë grupmoshat. Në rast shiu, aktivitetet artistike do të zhvendosen tek teatri Kombëtar eksperimental Kujtim Spahivogli.


Që nga dita e inaugurimit të saj dy vite më parë e deri më sot, më shumë se 200 evente të gjitha zhanreve art, dancë, performancë, teatër, muzikë , film, debate, sporte etj, janë zhvilluar tek REJA.


“REJA” që atëherë është bërë jo vetëm atraksioni më i veçantë dhe hapësira më e vizituar e qytetit, por më e rëndësishmja është që është kthyer në një aset kulturor me një program të pasur, i krijuar në bashkëpunim me partnere lokale, ndërkombëtare dhe individë të pavarur apo institucional.


17 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)