Deputeti demokrat Genc Pollo, thotë se ligji për Teatrin shkel Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian duke penguar garën e kompanive shqiptare dhe evropiane.


Në një dalje për mediat nga selia blu, kryetari i komisionit parlamentar të Integrimit deklaroi se, Ligji special Fusha sh.p.k, përmes të cilit kryetari i Qeverisë dhe kryetari i Bashkisë Lali Edi dhe Lali Eri shkatërrojnë qendrën e Tiranës, kompleksin e Teatrit Kombëtar me trashëgimi historike qendrore të Shqipërisë si dhe i falin truallin shtetëror kompanisë pranë tyre Fusha sh.p.k. Nuk shkel vetëm Kushtetutën e Republikës dhe një gjysmë dyzinë ligjesh në fuqi.


Ai shtoi se ligji Fusha sh.p.k shkel dhe marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit midis Bashkimit Europian dhe Shqipërisë përkatësisht nenin 71 të saj duke qenë një kontraktim pa garë dhe pa konkurrim të hapur.


Sipas tij, ligji special Fusha sh.p.k ka penguar aplikimin e kompanive europiane dhe shqiptare për tu përzgjedhur për të marre këtë kontratë.


Pollo tha se Bashkimi Europian ka të drejtë dhe detyrë të ndërhyjë në raste të tilla për të verifikuar çfarë ka ndodhur, madje nënvizoi se në raste te veçanta BE ka të drejtë të kërkojë nga Qeveria dëmshpërblim që është i barabartë me të gjithë fitimi e kompanisë, i cili në rastin në fjalë ky fitim është 200 milionë euro.


Ai deklaroi se për këtë arsye ligji special Fusha sh.p.k nuk u lejua të kalonte në Komisionin e Integrimit europian.


Unë uroj shumë që në një mënyrë ose një tjetër ky ligj special të përfundoj në kosh.


Por në rast se dy lalët do të duan ti shkojmë zullumit deri në fund ky do të jetë një moment konfrontimi i shoqërisë shqiptare me të keqen, ku kam besimin se e mira do të triumfojë, tha në mbyllje deputeti demokrat.