TIRANE - Pas suksesit të korrur dhjetorin e shkuar në teatrin Brancaçio të Romës, më 5 maj 2014 Anbeta Toromani, Kledi Kadiu e balerinë të tjerë të famshëm në katër anët e botës, do të kthehen me "Hera e Parë", atje ku e nisën karrierën e tyre, në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë. Spektakli, i ideuar nga Kledi Kadiu e Anbeta Toromani, nën drejtimin artistik të Gentian Dodës, do të bashkojë edhe në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, aty ku hodhën hapat e parë të karrierës, balerinët shqiptarë ndër më të famshmit, Anbeta Toromani, Kledi Kadiu, Erjon Kruja, Brigel Gjoka, Hektor Budlla, Leart Duraku, Rezart Stafa, Dorian Grori, e miqtë e tyre Claudia Vecchi, Beatriz Uhalte Cisneros, Alessandro Macario. Janë të gjithë artistë të angazhuar në kompani baleti, ndër më prestigjiozet në botë, si: Hofesh Shechter Company, The Forsythe Company, Aterballetto, Balletto di Roma, Teatro san Carlo di Napoli, Compania Nacional de Danza, Balletto Classico Cosi Stefanescu, Balletto di Montecarlo. Kishte lindur pikërisht si një homazh për vendlindjen në 100-vjetor të Pavarësisë. "U bënë mëse 20 vjet që balerinët e brezit tonë janë shpërndarë nëpër botë, e prej kohësh e mendonim me Kledin të mblidheshim të gjithë bashkë në një spektakël dedikuar vendit tonë, ku të gjithë ne hodhëm hapat e parë", - tregonte Anbeta Toromani për "Shqiptarin e Italisë" para dhënies së spektaklit në Romë. Krijimi i mundësisë për dhënien e "Herës së Parë" edhe në Shqipëri është "një mrekulli". "Jemi të lumtur që arrijmë të kthehemi të gjithë bashkë atje ku e nisëm. Jemi entuziastë", - ka thënë balerini Kledi Kadiu, duke falënderuar në mënyrë të veçantë "ministrin e Punëve të Jashtme Ditmir Bushati dhe ministren e Kulturës Mirela Kumbaro, të cilët e mbështetën fort këtë nismë, ambasadën italiane në Shqipëri e Institutin italian të Kulturës, si edhe Delegacionin e BE-së në Tiranë e qendrat e tij të informimit në Shkodër e Vlorë".
Sipas Kadiut, "që të gjithë miqtë e kolegët e tyre e pranuan me kënaqësi idenë tonë dhe u treguan menjëherë të gatshëm për të qenë pjesë e këtij spektakli". Jeta artistike e këtyre dy balerinëve prej dy dekadash zhvillohet larg Shqipërisë.
Toromani, balerinë klasike, u bë menjëherë e njohur për publikun italian pas konkurrimit në edicionin e dytë të "Amici", ku u rendit e dyta. Spikati menjëherë mbi gjithë të tjerët për zotësinë dhe talentin e saj të jashtëzakonshëm. Para se të shkonte në Itali ajo ishte balerinë e parë e TKOB-së. Me të njëjtin sukses vijon jetën artistike edhe Kledi Kadiu. E fillon karrierën e tij qysh në vitin 1991 në Teatrin e Operës dhe Baletit. Në 1993 bëhet balerin i parë. Më pas emigron në Itali dhe bie shpejt në sy të ekspertëve e kritikëve të artit, që vlerësojnë talentin, forcën dhe thjeshtësinë e tij, si në baletin klasik, ashtu edhe në atë modern. Në vitin 1998 fillon të marrë pjesë në programe të ndryshme televizive. Përveçse një karriere të rëndësishme, si në teatër ashtu edhe në televizion, ka marrë pjesë në shumë veprimtari të suksesshme. 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)