Ish-ylli i kombëtares braziliane, Romario, foli rreth dorëheqjes së presidentit të shumëpërfolur të federatës së futbollit, CBF, Rikardo Teikseira.

“Më në fund, arritëm të largojmë kancerin nga futbolli brazilian. Pas 23 viteve, por mbi të gjitha në dekadën e fundit, u largua njeriu që krijoi një imazh negative për Konfederatën braziliane të Futbollit. Gjatë gjithë kësaj periudhe kanë ndodhur shumë gjëra të këqija, që nuk janë shkaktuar vetëm nga Teikseira, por nga i gjithë institucioni”, tha ish-sulmuesi karioka.

Të hënën, Teikseira u tërhoq edhe nga roli si kryetar I komitetit organizator të Botërorit 2014 në Brazil, ndërsa në vendin e tij u emërua Hoze Maria Marin. 79-vjeçari është një ish-politikan, që ka qenë pak I njohur jashtë botës së mbyllur të CBF-së, ku deri më tani kishte rolin e zëvendëspresidentit.

Në sulmin e tij, Romario shtoi se “nuk mund ta pranoj faktin që Konfederata Braziliane e Futbollit është një institucion që nuk bashkëpunon as me shtetin dhe as me FIFA-n dhe gjithsesi ka kaq shumë përfitime. Edhe nëse diçka shkon keq, CBF justifikohet se nuk është faji i saj”.

64-vjeçari Teikseira u largua nga detyra e tij, zyrtarisht për arsye shëndetësore, megjithatë së fundmi ai është përmendur në shumë skandale korrupsioni.