Në prag të sfidës së sotme mes Brazilit dhe Uruguait për gjysmëfinalen e Kupës së Konfederatave, trajneri i Uruguait, Oscar Tabarez, e shikon tepër të vështirë takimin e skuadrës së tij kundër vendasve të Seleçaos. Trajneri i kampionëve në fuqi të Amerikës Latine, është i mendimit se lojtarët e tij janë të motivuar për t’u bërë një surprizë organizatorëve të këtij kompeticioni, ndërsa duhet pritur momenti i duhur për të mësuar nëse surpriza e përgatitur prej tyre të bëhet realitet.


“Për ne do të jetë një ndeshje e vështirë. Brazili është një ekip i madh, për më tepër që luan përpara tifozëve të tij. Për lojtarët e mi sfida ndaj tyre është shumë motivuese, pasi i përshtatet nivelit që ata kanë dhe gjithashtu është një privilegj për t’u ndeshur me një skuadër që ka fituar 5 herë Kupën e Botës. Të shikojmë se si do të shkojë ky takim”, tha numri një i stolit uruguaian.


Më tej, tekniku Tabares shtoi se objektivi i parë për ekipin u realizua. “Ne shkuam në gjysmëfinale. Ky ishte qëllimi ynë. Brazili është favorit ndaj nesh, por në fushë jemi 11 kundër 11. Skuadra ime di se si të fitojë edhe pse do të luajmë nën atmosferën dhe presionin e tifozerisë vendase. Ne do të bëjmë maksimumin për të shkuar në finale. Nëse ja arrijmë, atëherë do të ishte një arritje e madhe për të gjithë ne”, përfundoi tekniku i Uruguait në prag të sfidës së sotme ndaj vendasve të Brazilit.


Tekniku Tabarez ka disa dyshime në mendje për formacionin që do hedhë në fushë ndërsa thekson se ka akoma kohë deri në fillimin e ndeshjes për të vendosur përfundimisht.