Dyshohet për sulm të qëllimshëm






Përpara se të ngrihej, piloti i vuri zjarrin shtëpisë së tij. Sipas autoriteteve, përjashtohet hipoteza e një atentati terrorist




Një avion i vogël u përplas dje mbi një ndërtesë në Austin në Teksas, ngjitur me selinë e FBI-së, por që kjo e fundit shpëtoi pa u dëmtuar. Fillimisht mediat amerikane folën për një sulm terrorist, por më pas vetë Byroja Federale e Investigimit njoftoi se asnjë element nuk lë vend të mendosh për një hipotezë të tillë. Edhe për ministrin e sigurisë së brendshme, “incidenti nuk dyshohet të jetë aktivitet kriminal apo terrorist”, por burime të agjencisë kombëtare mbi sigurinë e transporteve thanë se përplasja mund të ketë qenë e qëllimshme. Selia e FBI-së gjendet pikërisht brenda kompleksit të ndërtesave që u godit nga avioni. Sipas kanalit informativ “Fox”, piloti i vuri flakën shtëpisë së vet përpara se të hipte në avion, në një nga aeroportet e Austin. Rrjeti televiziv hedh dyshime se personi në fjalë kishte çështje personale me zyrën federale të sigurisë së transporteve. Në fakt, në ndërtesën e goditur ndodhet edhe selia e agjencisë në fjalë. Në godinën prej shtatë katesh, si pasojë e përplasjes, shpërtheu një zjarr i madh, që më pas u shtri në katër pallatet aty pranë. Zona përgjatë një prej autostradave të Austin menjëherë u evakuua, por një person rezulton ende i zhdukur dhe autoritetet kanë frikë se mund të ketë mbetur viktimë e incidentit. Ndërkohë, janë dy personat e plagosur, të cilët ndodhen në spital, ndërsa disa të tjerë që u lënduan lehtësisht u larguan me këmbët e tyre nga vendngjarja. Një dëshmitar tha se kishte parë avionin e vogël me një motor ndërsa fluturonte në kuotë të ulët mbi autostradë dhe më pas anoi për nga e djathta, përpara se të përplasej mbi “Research Boulevard”, në orën 10. “Pati një shpërthim të madh”, - tha ai. Policia bllokoi menjëherë aksin në zonën që ndodhet në Austinin Verior.






Internet, sulm kibernetik




Një rrjet hakersash europiano-lindorë godet 2500 kompani





Mbi 75 mijë kompjuterë e serverë të rreth 2500 kompanive në 196 vende të ndryshme të botës. është ky bilanci i sulmit më të madh dhe më të sofistikuar të hakersave, që është regjistruar deri më sot. Lajmi vjen nga “Washington Post”, sipas së cilës sulmi kibernetik u zbulua nga një agjenci në Virxhinia, “Netwitness”, dhe ka nisur në fund të 2008-ës. Zbulimi u bë muajin e kaluar dhe mësohet se janë goditur email, të dhënat e kompanive, klientëve, kartat e kreditit, kredencialet e eksesit të punonjësve, përfshirë këtu edhe sektorin e shëndetësisë dhe teknologjisë. Mes vendeve më të goditura nga një rrjet hakersash europiano-lindor% figurojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksika, Arabia Saudite, Egjipti dhe Turqia. Ndërhyrja u zbulua në 26 janarin e kaluar nga Alex Cox, një inxhinier i firmës “Netwitness”. Eksperti arriti të individualizojë të ashtuquajturin “Kneber bot”, një sistem të ndërlidhur nga të paktën 20 serverë dhe kompjuterë që drejtohen nga një grup hakersash të lokalizuar në Europën Lindore, që kishin krijuar një qendër kontrolli në Gjermani. Sipas ekspertëve, hakersat arritën të shkarkojnë te mijëra punonjës nëpër agjenci të ndryshme softuare nga uebsajtet e kontrolluara nga vetë hakersat ose duke dërguar emaile të infektuara, që kanë hapur atyre portat e sistemeve informatike të mijëra kompanive. Për këtë ndërhyrje është përdorur një prej programeve më të rrezikshme i mbiquajtur “Zeus”. Sipas “Wall Street Journal”, sulmi goditi edhe dhjetë agjenci qeveritare amerikane. Në të paktën një rast, sipas “Netwitness”, hakersat arritën të marrin të dhëna aksesi të emaileve të një ushtari. Mes kompanive të goditura janë gjigandët farmaceutikë “Merck & Co” dhe “Cardinal Health Inc”, që kanë konfirmuar sulmin dhe kolosë të tjerë, si “Paramount Pictures”, që refuzoi të komentonte episodin.






Dalai Lama takon presidentin amerikan



Obama, mbështetje tibetianëve në Kinë




Dalai Lama dhe Barak Obama zhvilluan dje një bisedë të gjatë me dyer të mbyllura në Shtëpinë e Bardhë, në përfundim të të cilit presidenti amerikan shprehu “mbështetjen e tij të fortë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të tibetianëve në Kinë”. Lideri shpirtëror tibetian u tha gazetarëve se foli me shefin e Shtëpisë së Bardhë për promovimin e paqes dhe vlerave njerëzore. Jashtë rezidencës disa azilantë tibetianë manifestuan kënaqësinë e tyre për këtë eveniment të rëndësishëm. Në ditën e takimit të shumëpritur mes dy çmimeve “Nobel” për Paqen, Dalai Lama dhe Barak Obama thanë se folën kryesisht për paqen e harmoninë njerëzore. Lideri shpirtëror tibetian u prit në sallën e hartave për të mos shkaktuar më shumë rritim ndaj ndjeshmërisë së Pekinit, të cilit Uashingtoni i ka kërkuar ndihmë për të mbështetur sanksionet bërthamore kundër Iranit. Dalai Lama kërkon autonominë e vërtet të Tibetit, por që pas revoltës së dhunshme të 2008-ës, Pekini ka rritur presionin ndaj qeverive perëndimore që të mos presin liderin shpirtëror tibetian. Por jo vetëm kaq, mes SHBA-ve dhe Kinës kohët e fundit ka pasur disa momente tensioni. Përveç divergjencave mbi dosjen e Teheranit (Pekini kundërshton imponimin e sanksioneve ndaj Republikës Islamike dhe kërkon një zgjidhje të negociuar) është edhe çështja e Tajvanit. Kina pretendon sovranitetin ndaj ishullit dhe ka kritikuar me forcë aprovimin nga ana e qeverisë së Uashingtonit të shitjes së “Taipeit” me një vlerë prej 6,4 miliardë dollarësh, armë të sofistikuara. Qeveria e ishullit ndërkohë ka pretenduar gjithnjë se ka 1 mijë raketa kineze të drejtuara kundër saj. SHBA-të nga njëra anë njohin Republikën Popullore si një të vetme, ndërsa nga ana tjetër mbajnë marrëdhënie të ngushta ekonomike me Tajvanin dhe janë të detyruar (për shkak të Aktit të Marrëdhënieve me Tajvanin), të ndërhyjnë në mbrojtje të ishullit në rast të një sulmi kinez. Në janar, gjigandi i kërkimit “Google” ka denoncuar se ka qenë viktimë e disa sulmeve kibernetike, që kanë dhunuar sferën private të disa prej klientëve të tij, të gjithë disidentë kinezë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut.