Shemsi Veseli, Memli Krasniqi dhe Lirak Çelaj më 13 janar të këtij viti do t’i matin forcat e tyre.
Atëherë Kryesia e PDK’së në Kryeqytet pritet të votojë për të parin e saj.
Këtë e konfirmoi të premten për Express koordinatori i zgjedhjeve të brendshme në këtë parti, Basri Musmurati.
“Besojmë që më 13 janar do të mbahet takimi dhe do të votohet për kryetarin e Degës në Prishtinë”, tha Musmurati.
Tashmë pritet një garë e nxehtë ndërmjet tre kandidatëve, dy prej të cilëve që nga Kuvendi i fundit i Degës së PDK’së në Prishtinë edhe publikisht kanë shkëmbyer mospajtime.
Shemsi Veseli e Memli Krasniqi janë ata që kanë bërë të qartë se i frikohen njëri-tjetrit në garën për të parin e PDK’së në Prishtinë.
Veseli në deklaratat e tij për media ka thënë që Krasniqi ka hyrë vonë në Degën e PDK’së në Prishtinë. Për më tepër e ka akuzuar atë se po bën politikë përjashtuese dhe lobim të njëanshëm për të fituarën garën.
“Votat nuk fitohen me një kategori të njerëzve, si figura të artit apo kulturës, por me njerëz gjithëpërfshirës. Në qoftë se nuk më jepet mua besimi, e them haptazi pa frikën e subjektivizmit se do të jetë boomerang për PDK’në në Prishtinë”, ka thënë Veseli të premten për media.
Burime të Express kohë më parë kishin thënë se Memli Krasniqi është i favorizuari i Shefit të PDK’së, Hashim Thaçi ,për të drejtuar degën e kryeqytetit.
“Kjo meqë fituesi i degës do të jetë edhe kandidati i Prishtinës, e kjo është prioritet i PDK’së në zgjedhjet e ardhshme”, pati thënë një zyrtar i PDK’së.
Përveç Prishtinës, sipas Koordinatorit Musmurati, pritet t’i zgjidhen edhe kryetarët në shtatë degë tjera të PDK’së.
Por, problematike mbeten ajo në Gjilan dhe dega në Viti, meqë asnjëra nuk kanë arritur të zgjedhin as kryesinë e re, e cila jep verdiktin e fundit për Kryetarin.
Kryetari aktual i Vitisë, njëherësh Sekretar i PDK’së atje, Nexhmedin Arifi dhe Kryetari i degës së partisë, Daut Xhemajli edhe të premten kanë vazhduar me akuza.
Arifi kishte deklaruar se Daut Xhemajli dhe Xhevat Bislimi janë duke ushtruar një fushatë destruktive për ta dëmtuar partinë.
E, për të marrë masa ndaj kësaj i ka bërë thirrje Kryesisë qendrore. Intervenimi i qendrës ndërkaq po shihet si diçka e panevojshme nga Xhemajli.
Dega në Viti pati tentuar tri herë rresht që të mbajë kuvendin zgjedhor, por pa sukses.
Në mes të muajit nëntor të vitit të kaluar, Hashim Thaçi u kishte bërë thirrje dy grupeve që t’u japin fund përplasjeve ndërmjet tyre dhe të punojnë për të mirën e partisë.
Por, moskalimi i problemeve bëri që vendimin final për degën në Viti edhe atë të Gjilanit, ku ka probleme të njëjta, ta marrë kryesia qendrore.
“Të mërkurën do të mblidhet kryesia qendrore dhe do të vendoset se si më tutje më këto dy degë. Realisht kryesia qendrore nuk është dashtë të përzihet këtu fare, por kur shihet se palët nuk po mund të zgjidhin problemet, atëherë nuk kemi si t’i ikim kësaj”, tha Musmurati.
PDK më 26 janar do të mbajë Kongresin qendror, në të cilin, sipas Musmuratit, i vetmi kandidati për të parin e partisë mbetet lideri aktual.
“Njëherë për njëherë kandidati i vetëm është zoti Hashim Thaçi, por në asnjë mënyrë nuk përjashtohet mundësia që gjatë kongresit të propozohet edhe ndonjë anëtar tjetër sepse të gjithë anëtarët që konsiderojnë që mund ta udhëheqin partinë”, tha Musmurati. /Indeksonline/