BBC do të paguajë 295,000 dollarë dëmshpërblim për shkak të akuzave të rrejshme për abuzim. Por, problemet e BBC’së nuk përfundojnë vetëm me kaq.

Televizioni BBC është pajtuar të enjten që t’i paguajë 295,000 dollarë dëmshpërblim ish-tresoristit të Partisë Konservative, i cili në një raport të këtij televizioni u akuzua gabimisht për abuzim seksual të fëmijëve.

Marrëveshja erdhi pas raporteve mediale se një ish-yll televiziv në BBC ishte arrestuar në kuadër të një hetimi policor lidhur me krimet seksuale, në qendër të të cilit është transmetuesi publik i Britanisë së Madhe.

Kohëve të fundit, lordi Alistair McAlpine, përndryshe një alet i afërt i ish-kryeministres britanike, Margaret Thatcher, është përmendur mjaft në internet, “si një zyrtar i lartë i paemëruar britanik”, i cili në një raport të emisionit kryesor të BBC’së, ‘Newsnight’, u përmend si i përfshirë në abuzimin e djelmoshave të strehimoreve sociale.

Filmi defektiv shkaktoi njërën prej krizave më të mëdha brenda BBC’së gjatë historisë së tij 90-vjeçare, që rezultoi me dorëheqjen e drejtorit të përgjithshëm të këtij televizioni, George Entwistle, pasi që viktima kryesore që përmendej në emisionin investigativ të BBC deklaroi se McAlpine nuk ishte një prej sulmuesve të tij.

“Jam i lumtur që arritëm një marrëveshje të shpejtë me BBC”, theksoi McAlpine në një kumtesë për media.

"Isha i vetëdijshëm se do të paguhej çfarëdo shume e kërkuar nga përfaqësuesit e autorizuar për pagesa, kështu që këtë gjë e kisha parasysh gjatë përmbylljes së marrëveshjes me BBC”.

Avokati i tij ua tërhoqi vërejtjen edhe palëve të tjera që njollosën reputacionin e klientit të tij se duhet ta kontaktojnë atë para se të përballen me procese gjyqësore, një kërcënim ky që mund të përfshijë qindra përdorues dhe blogues të rrjetit Twitter të cilët gabimisht e përfolën emrin e McAlpine.

"Ne nuk do të vazhdojmë të kërkojmë përmbyllje të marrëveshjeve edhe me organizatat e tjera që publikuan përgojime çnderuese, e as me individë që përdorën rrjetin Twitter për të më diskredituar”, deklaroi McAlpine.

Përdoruesit e Twitter në shënjestër

Një nga personat e parë që mund të përballet me pasoja është Sally Bercow, gruaja pompoze e kryesuesit të Parlamentit të Britanisë së Madhe, i cili mban rend mes deputetëve gjatë debateve parlamentare.

"Përse lordi McAlpine po e luan rolin e të pafajshmit, në kohën kur, pas raportit në Newsnight, po rritet numri i spekulimeve”, shkroi ajo në Twitter. Ndërkaq, të martën Bercow shkroi: “Po marrë këshilla ligjore. Jam e shokuar ngaqë jam personi i parë të cilit lordi McAlpine do t’i vihet pas”.

Kjo kontrovers e re trazoi së tepërmi transmetuesin kombëtar, në kohën kur po mundohej të përmbyllte zbulimet se ish-prezantuesi i njohur, Jimmy Savile, i cili vdiq në moshën 84-vjeçare, ishte njëri prej kundërvajtësve më të mëdhenj seksual në Britani.

Policia, e cila po i heton pohimet kundër Savile, njoftoi të enjten se ka arrestuar personin e katërt - një mashkull rreth të 60’ave - si të dyshuar për krime seksuale, dhe se numri i përgjithshëm i viktimave që deri më tani kanë lajmëruar raste të tilla ka shkuar në 450.

Sipas BBC’së, por edhe disa kanaleve tjera televizive, personi i arrestuar është radio-prezantuesi Dave Travis, i cili dikur shfaqej në të njëjtin emision televiziv dhe radiostacion bashkë me Savile, dhe për radioemisionin e të cilit liderja e opozitës në Mianmar, Aung San Suu Ky, kishte deklaruar se e relaksonte gjatë viteve të robërisë.

Një fotograf i agjencisë Reuters raportoi se kishte parë shumë policë para shtëpisë së Travis (67), afër Londrës.

Ndryshe, menjëherë pas shfaqjes së dyshimeve ndaj tij, muajin e kaluar, Travis mohoi publikisht çfarëdo pretendimi për sjellje të pahijshme.

Një shok i tmerrshëm

Kritikat e shumta ndaj BBC për mënyrën e menaxhimit të pretendimeve kundër Savile, dhe raporti i gabuar për abuzim me fëmijë i shfaqur në emisionin ‘Newsnight’, e shtyu kryesuesin e Bordit të BBC’së, Chris Patten, që të tërheq vërejtjen se transmetuesi më i madh në botë do të mbarojë keq nëse nuk reformohet.

Patten, ish-ministri konservativ që mbahet mend për kthimin e Hong Kongut Kinës, në vitin 1997, pritej që të enjten të takohej me 11 anëtarët e Bordit të BBC, me qëllim të gjetjes së një rrugëdaljeje nga kriza dhe të një trashëgimtari për Entwistle, i cili dha dorëheqje të shtunën e kaluar.

McAlpine (70), i cili ka një shëndet të dobët, i tha BBC’së se pësoi një shok të tmerrshëm kur kuptoi se po e ndërlidhnin me një qark të nivelit të lartë të pedofilisë. Sipas tij, BBC’ja ka mundur ta kontaktonte dhe ta pyeste në lidhje me pretendimet e thëna në raport.

"Ata kanë mundur t’ia kursejnë vetes nënçmimin dhe paratë, nëse do të më bënin një telefonatë”, theksoi McAlpine. "Unë do t’u kisha treguar saktësisht atë që e mësuan më vonë... se e tërë kjo është vetëm një gomarllëk”.

Kur i tërë tregimi arriti kulmin, pas emisionit ‘Newsnight’, që u transmetua më 2 nëntor, gjatë një interviste me kryeministrin, David Cameron, udhëheqësi i një emisioni foljor në kanalin ITV vringëlloi me një listë me emra të abuzuesve të supozuar.

Rregullatori britanik i mediave deklaroi se kjo zyrë aktualisht po heton edhe raportin e ‘Newsnight’ dhe ITV’në – i cili po ashtu njoftoi se ka pranuar një letër nga ekipi ligjor i McAlpine.

Drejtori i televizionit ITV, Peter Fincham, deklaroi se ajo që bëri programi i këtij kanali televiziv “ishte e gabuar”, dhe se tashmë janë ndërmarrë “masat e duhura” disiplinore.

Teorikisht, Rregullatori Ofcom mund ta dënojë televizionin ITV me dënimin maksimal prej pesë përqind të qarkullimit të tij vjetor, përderisa dënimi maksimal për BBC mund të shkojë deri në 250,000 funta. Dënimet e tjera që mund të shqiptohen nga Ofcom kanë të bëjnë me sugjerimin e transmetuesve që të mos i përsërisin këto pretendime, ose të kërkojë përmirësimin e tyre.