Seanca gjyqësore për Emiljano Shullazin nuk është zhvilluar as sot te Gjykata e Krimeve të Rënda.


Telenovela për gjyqin e Shullazit dhe 4 të pandehurve të tjerë vazhdon kështu, pasi kjo ishte e gjashta herë radhazi që seanca ndaj grupit ka dështuar.


Shkak për moszhvillimin e sotëm të gjyqit u bë mungesa e avokates se caktuar më herët, e cila dha dorëheqjen nga mbrojtja e Gilmando Danit, me arsyetimin se do jetë jashtë vendit për arsye shëndetësore.


Në këto kushte, gjykata shtyu seancën dhe zëvendësoi avokaten me një tjetër, duke vendosur që seanca e radhës të zhvillohet më 8 prill.


Dhjetë ditë më parë Gjykata gjobiti me 10 mijë lekë avokaten Eralda Brahimasi, ndërsa rastin e mungesës vendosi tia referojë Dhomës Kombëtare të Avokatisë.


Dosja ka nisur të shqyrtohet në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda prej janarit 2019 por deri tani nuk është mbajtur asnjë seancë.


Ndërkohë vlen të kujtojmë se një nga avokatët e Shullazit, Ravik Gurra u ekzekutua me armë në qendër të qytetit të Elbasanit, në një atentat mafioz të premten.