Alban Dega / Nju Jork


Ndoqa dje tre kronikat kryesore të lajmeve të Radiotelevizionit Shqiptar, që vetëm emrin e ka të tillë. Them vetëm emrin sepse thelbi i politikës së tij redaksionale është vetëm axhenda e qeverisë me vota të vjedhura, por jo axhenda e vërtetë e shqiptarëve. Në të gjitha kronikat e lajmeve kryesore të RTSH pashë e dëgjova gjithçka lidhet me axhendën e qeverisë por jo të shqiptarëve. Pashë e dëgjova vizitat e përqafimet e Sali Berishës në Budapestin antievropian e deri edhe një marrëveshje ndërqeveritare midis dy ministrave të së njëjtës qeveri, Petrit Vasilit të Shëndetësisë e Eduart Halimit të Drejtësisë. Pashë e dëgjova çfarë nuk pashë e çfarë nuk dëgjova…..


Madje edhe një kronikë për çmimin e posaçëm të një instituti slloven për ish- ministrin e jashtëm dhe ish-zëvendësin e Berishës, Ilir Meta, për politikën e tij të jashtme në 2010-ën, kur u kap në flagrancë nga zëvendësi i tij në LSI dhe ministri i tij i ekonomisë në pazare e allishverishe 700 mijë euroshe me një dorë. Pashë çfarë nuk pashë e dëgjova çfarë nuk dëgjova, por as nuk pashë e as nuk dëgjova asnjë fjalë për vizitën e suksesshme e mjaft interesante të liderit të opozitës Edvin Rama në kryeqytetin e politikës botërore Uashington, ku vendosen fatet e Botës. As pashë e as dëgjova asnjë fjalë për intervistën e “armikut të kllasës Edi Rama”  me Radion Zëri i Amerikës, as për takimin me ndihmës-zëvendësekretarin amerikan të Shtetit, Riker.


As pashë e as nuk dëgjova asnjë fjalë, lëre me kronikë për takimet intensive të Ramës në Bankën Botërore e sidomos me pesë kongresmenë amerikanë, përfshi edhe kryetarin e Komitetit të Helsinkit të Kongresit. Një rast i rrallë ky për politikën shqiptare. Total black-out… Heshtje totale…. Errësirë totale. Bojkot total përballë një ngjarjeje që ka tërhequr vëmendjen e ndiqet me një interes të jashtëzakonshëm nga mbarë shqiptaret e ndërkombëtarët që mendojnë ose ndjekin politikën shqiptare. Pse!? Jo sot, por qysh prej Vitit Zero të Sali Berishës, 22 marsit 1992 kur ai mori karrigen e Presidentit të Shqipërisë e sa kohë ai qeveris në Shqipëri, RTSH është vetëm tellalli i tij dhe i klanit të tij. Jo i shqiptarëve. Jo i popullit shqiptar, që ndan mundin e  djersën e vet, që ndan urinë dhe paratë e  ilaçeve, që ndan papunësinë e listat e veresijes, bukën e fëmijëve dhe qindarkat e mortit  në të cilin e ka zhytur pikërisht kjo qeverisje kusare e vrastare me vota të vjedhura, për të mbajtur gjallë këtë televizion të dështuar e të falimentuar në çdo shtet me ekonomi tregu.


Bëhet fjalë për Radiotelevizionin e më pak se një të dhjetës së shqiptarëve që kanë përkrahur ose votuar për Sali Berishën e qeverisjen e tij këto tetë vjetët e fundit.


Si pranojnë shqiptarët të paguajnë taksa për të mbajtur në këmbë këtë çiban që nuk ka asgjë të përbashkët me 90 për qind të tyre!? Si pranon opozita dhe lidershipi i saj që të bëhen bashkëfinancues dhe sponsorë të një televizioni që nuk ka asgjë të përbashkët me interesat e publikut dhe të shqiptarëve, që vjell helm e vrer dhe nuk pasqyron as ngjarje madhore, siç është vizita dhe takimet e liderit të saj në Uashington apo Nju Jork !? Çfarë pret opozita dhe Edi Rama që nuk i bëjnë thirrje përkrahësve dhe votuesve të tyre dhe nuk marrin vendim të prerë e të menjëhershëm të ndërpresin çdo pagesë të tyre për një televizion që jo vetëm nuk është, por shkon kundër interesave të tyre!? Një hap minimal i mosbindjes qytetare ndaj një tellalli të shpallur ashiqare të një qeverisje aspak qytetare. Për një Radiotelevizion që shkon kundër rregullave më të thjeshta demokratike për një informim objektiv, të saktë dhe të paanshëm?


Kujt përveç Sali Berishës dhe qeverisë së tij i duhet një televizion si RTSH apo një agjenci lajmesh si ATSH që nuk janë në gjendje të mbajnë vetveten e të sigurojnë edhe fitim në kushtet e një ekonomie tregu?


Pse nuk veprohet tamam siç do të vepronte çdo opozite serioze kudo në Botë përballë një televizioni që vetëm emrin e ka RTSH. Në fakt ai nuk është RTSH. Ai është fund e krye RTS, Radiotelevizioni i Salës.