Marrëdhëniet greko-gjermane në një periudhë tepër kritike për Athinën, tërësisht të ndërvarur ekonomikisht nga Berlini, po lëkunden përsëri pas fokusimit të mediave të të dy vendeve, por dhe të politikës tek çështja e dëmshpërblimeve të luftës.


Pas disa publikime të “Der Spiegel” kundër pretendimeve greke, Wolfgang Schauble, ministri gjerman i Financave, theksoi në një intervistë se Greqia nuk ka asnjë shpresë për dëmshpërblimet e luftës nga Gjermania, duke shkaktuar reagime në Athinë.


Ministri i Jashtëm grek, Avramopoulos i është përgjigjur nga Parlamenti grek, se kompensimet gjermane janë një çështje me parametra historike, humanitare, politike dhe ligjore dhe se Greqia ka të drejtë të pretendojë zgjidhjen juridike të saj, njofton “TCH”.


Ndërsa zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme ka deklaruar se Athina pret konkludimet e Këshillit Ligjor për hapat e mëtejshëm, duke mos përjashtuar dërgimin e çështjes në Gjykatën e Hagës. Edhe simboli i luftës greke kundër nazistëve në Greqi dhe një prej liderëve të së majtës radikale, Manolis Glezos e ka quajtur Schaublen mosnjohës të historisë, duke i kujtuar se Gjermania vërtet ka bërë dy luftëra botërore, por të dy herët është mundur.


Gazeta gjermane “Tagesspiegel” përkrah Athinën, duke shkruar se Greqia pësoi më shumë dëme se kushdo prej vendeve të pushtuara nga Gjermania, me 130 000 civilë të vrare, si dhe 50% të infrastrukturës dhe 75% të industrisë së shkatërruar.


Sipas mediave dhe eksperteve nga dy vendet, shuma e përgjithshme e kompensimeve gjermane të luftës si dhe të kredisë që i ka dhënë Athina -Berlinit pas rënies së Rajhut të Tretë, shkon në 162 miliardë euro dhe do të mjaftonte për të zgjidhur problemin ekonomik të Greqisë, duke reduktuar gati përgjysmë borxhin kolosal të saj.


Por, ana tjetër vlerëson s qeveria greke nuk do të dëshironte kurrë tani një konfrontim të hapur me Berlinin, shpëtimtarin e saj financiar./Indeksonline/