DURRES – Tenton të hidhet nga mbikalimi 53-vjeçari. K.Kapana, banor i Durrësit, i cili ishte në proces divorci me të shoqen, ka hipur pasditen e djeshme në mbikalimin prej hekuri që ndodhet në afërsi të Urës së Dajlanit, në hyrje të qytetit, duke kërcënuar me vetëvrasje. Policia ka mbërritur në vend, duke iu dashur disa minuta negociata për ta bindur burrin që të zbriste. Mësohet se pas marrjes në pyetje, Kapana, ish-ushtarak, ka pohuar se kushtet ekonomike dhe familjare e kishin shtyrë atë drejt këtij vendimi. Mbikalimi ndodhet mbi rrugën hyrëse të qytetit, e cila është tejet e ngarkuar nga lëvizja e mjeteve. Policia e Durrësit ka arritur ta bindë Kapanën të zbresë, duke i shpëtuar atij jetën. Gjatë shoqërimit në polici, ai ka hedhur pretendimet se është dhunuar herë pas herë nga ish-gruaja. Pak ditë më parë, një tjetër histori ndodhi në Tiranë, prej një 45-vjeçari, i cili tentoi të vetëvritej bashkë me 3 fëmijët e tij për çështje pronash. o.u