Autori i Lajmit: Redaksia




Gjykata e Tepelenës liroi katër protestues të Partisë Socialiste, të cilët u ndaluan për bllokim të rrugëve kryesore. Për Novruz Shehun, Përparim Hodon, Luan Gerbin dhe Astrit Pashën lihet në fuqi vendimi për detyrim paraqitjeje. Ndërkohë pasi ka dëgjuar qëndrimin edhe të Prokurorisë edhe të Mbrojtjes, gjykatësi e cilësoi arrestimin e të pandehurve si të ligjshëm dhe caktoi për ta masën e detyrimit me paraqitje dy herë në muaj. Në fakt, këtë masë e ka kërkuar edhe prokurori, i cili ka argumentuar se protestuesit kanë cenuar ligjin me bllokimin e mjeteve në rrugën nacionale. Por, avokatët e të pandehurve mbajtën qëndrimin se policia kishte shkelur kushtet e flagrancës, pasi asnjeri prej protestuesve nuk ishte kapur gjatë protestës por disa orë më vonë. Të njëjtën strategji kanë ndjekur edhe avokatët mbrojtës të 13 të arrestuarve tri ditë më parë, edhe ata për protestën e PS-së në kryeqytet. Ndërsa, akuza do të ishte e njëjtë, për bllokimin e mjeteve të transportit. Këtë strategji ka ndjekur prej disa ditës opozita, e cila ka nxjerrë protestuesit e saj në rrethe, në të gjithë vendin duke bllokuar rrugët nacionale.



Ky lajm është publikuar: 16/05/2010