Policia në Irlandën e Veriut ka paralajmëruar publikun që të tregohet i kujdesshëm gjatë fundjavës për shkak të kërcënimeve serioze të bëra nga terroristët.


Për pasojë, pikat e kontrollit dhe patrullimet e forcave të rendit janë shtuar, bëjnë të ditur mediat britanike.


Ditën e premte, detektivët që po hetonin aktivitetet e disidentëve republikanë në jug të Armagut arrestuan tre persona, që ndaluan makinën e tyre pranë kufirit irlandez.


Shërbimi Policor në Irlandën e Veriut ka deklaruar se arrestimet u kryen në bashkëpunim me policinë e Republikës së Irlandës.


Korrespondenti i BBC në Belfast thotë se druhet se disidentët po përgatisin një sulm ndaj oficerëve të policisë gjatë festës së Pashkës.


Tre javë më parë një polic në Irlandën e Veriut, oficeri Ronan Kerr, u vra në një atentat me bombë dhe dyshohet se do të ketë atentate të tjera.