Nga Beqë Cufaj


 


Para se të vinte për herë të dytë në Kosovë, ku kishte qëndruar në vitet 2000-2001, si shef i atbotë ende Zyrës Amerikane në Prishtinë, ambasadori amerikan Christopher Dell shërbeu për Uashingtonin, në Angolë dhe në Zimbabwe. Pastaj kaloi si zëvendësshef i Misionit të SHBA-ve në Afganistan, për tu kthyer sërish në Prishtinë. Por, kësaj radhe si ambasador fuqiplotë në një shtet të ri me emrin Republika e Kosovës.


Prej krejt këtyre misioneve Dell edhe sot e kësaj dite njihet dhe dihet sidomos për punën, ose thënë edhe më mirë konfliktetet e tij dhe të shtetit amerikan me regjimin e Mugabes në Zimbabwe. Janë legjendare tashmë zënkat e Dellit me autokratin afrikan të tipit go to hell dhe sidomos prognoza e tij aq keq e huqur që Mugabe dhe regjimi i tij se kanë të gjatë.


Ardhja e Dellit në Kosovë, në vitin 2009, për dikënd shënonte edhe një nismë, fazë të re amerikane për shtetin e ri. Por, jo edhe aq sa supozohej dhe pritej. Jo pse kastat politike të Prishtinës, me shpalljen e pavarësisë do të çliroheshin nga varësia totale sidomos amerikane, por shumë më tepër për shkakun që paraardhësja e Dellit nga Prishtina në Uashington mori një post në Departamentin e Shtetit prej ku në varësi kishte (dhe vazhdon ti ketë) edhe ambsadorin Dell në Prishtinë edhe politikanët kyç të Prishtinës.


Me një fjalë, ndikimi i përgjithshëm amerikan dhe posaçërisht dora e përfaqësuesit të shtetit të adhuruar deri në delir nga populli i Kosovës dhe me këtë edhe klasa politike jo vetëm që vazhdonin të rrinin si dorë mrekullimi a mallkimi (kush si e sheh a përjeton!) mbi vendin, por edhe sot e kësaj dite është ky një realitet, i cili sidomos europianët në Prishtinë jo rrallë ka ditur dhe di ti irritojë kur teprohet dhe impresionojë kur shpëtohet (ajo që mund të shpëtohet).


Prej ardhjes së tij në Prishtinë, dhe deri këto ditë të fundit të qëndrimit të tij trevjeçar Christopher Dell ka qenë i implikuar në mënyrë intensive në politikën e Kosovës. Dhe atë në pothuajse të gjitha shkallët dhe nivelet.


Nga menaxhimet ditore, përmes zgjedhjeve lokale e të përgjithshme e deri te qoftë emërime apo edhe vendime që kishin dhe kanë të bëjnë drejtpërdrejt me realitetin në Republikën e Kosovës. Ska dyshim që kulminacioni i ndikimit politik të këtij diplomati ishte implikimi i drejtpërdrejtë në (ç)zgjedhjen e Presidentit të Kosovës- njëherë me sms-a dhe më pas me zarfin e famshëm që ua hodhi në tryezë Thaçit, Mustafës dhe Pacollit.


Çdo gjë përtej kësaj çudie- që ndodhi në mes të Europës dhe jo Afrikës, tregon për atë se sa larg është klasa politike në Prishtinë- në të qenit demokratike, e pavarur dhe e mëvetësishme. Ky implikim i drejtpërdrejtë i Dellit në përditshmërinë politike të Prishtinës, ka bërë që të krijohen kampe të qarta të atyre që janë pro tij por po aq edhe kundër tij. Gjithsesi, si njëri ashtu edhe kampi tjetër kurrë se kanë vënë në dyshim rolin falënderues të shtetit dhe popullit amerikan për Kosovën e vogël dhe të brishtë.


Në fund të mandatit të tij, Christopher Dell, për dallim nga Zimbabweja kur para pesë vjetësh bëri një prognozë e cila shikuar nga këndi i sotëm mund të quhet edhe e pamatur, këso radhe, nga Kosova bëri një test apo edhe testament politik.


Deklaratat e tij absolutisht jodiplomatike, sulmet frontale kundër kundërshtarëve të qeverisë së Thaçit dhe me këtë edhe Dellit, shplimi i bisedave dhe darkave të punës, nuk i shkojnë përshtati jo vetëm një diplomati amerikan por thjesht as edhe një diplomati në këtë botë.


Testi që Dell na e bën përmes këtij skanimi shikuar nga prizma e tij më tepër provon ti ngjajë një provokimi thellësisht politik për Kosovën. Keni presidenten tuaj- ua dhashë unë, keni qeverinë tuaj- që ua bëra unë, keni kundërshtarët tuaj- ua ndreqi samarin unë dhe keni dashurinë time për juve- të cilën ua dhashë po unë!… Ky është pak a shumë mesazhi i deklaratave gati se zor të kapërdishme të tij për nga egomania dhe sërish- aspak maniret diplomatike.


Ndoshta tërë këto mund të jenë të vërteta dhe mund ta durojmë këtë unin e Dellit por problemi i tij është ky: ai po shkon dhe Presidentja, Qeveria, Kundërshtarët (e tij dhe saj!) do të vazhdojnë të jenë pjesë e këtij nënqielli me njerëzit dëshpëruar nga realiteti i rëndë politik e ekonomik. Kurse Dell do të katapultohet nga rajoni më i varfër në Europë- Prishtina- në rajonin më të pasur po në Europë- Stuttgart…