Kombëtarja e Shqipërisë ka përfunduar përgatitjet para ndeshjes miqësore kundër Andorrës, e cila do të zhvillohet të mërkurën në stadiumin ‘Qemal Stafa’ në Tiranë, duke filluar nga ora 20:00.



Pas fitores në ndeshjen miqësore kundër Malit të Zi (1:0) javën e shkuar, përfaqësuesja kuqezi do të ketë edhe një tjetër test të rëndësishëm. Pavarësisht se në këtë takim Shqipëria do të ketë një kundërshtar të lehtë, trajneri Josip Kuze nuk e mendon kështu.



“Është një ndeshje shume e rëndësishme për ne dhe në mënyre të veçante për lojtarët. Do te jetë një test i rëndësishëm për ne, pasi kemi një shans të mire për të provuar skuadrën”, ka thënë kroati në një konferencë për media para ndeshjes.



Trajneri Kuze për këtë ndeshje nuk do të ketë në dispozicion katër lojtarë të rëndësishëm si Cana, Curri, Dallku dhe Bogdani. Kjo do t’i japë mundësi kroatit që në fushë t’i fusë disa lojtarë të rinj.



“Edhe lojtarët që do të mungojnë do të ndikojnë, por nga njëra anë ky do të jetë një shans i mirë për disa lojtarë të tjerë të cilët do të aktivizohen”, ka theksuar ish-selektori i Kroacisë.



Josip Kuze beson se të përzgjedhurit e tij kanë potencial që ta mposhtin Andorrën, e cila ka një skuadër modeste.



“Na duhet të vazhdojmë me rezultate pozitive dhe në ketë përballje unë mendoj se e kemi potencialin për të fituar. Unë kam besim te lojtarët që kam në dispozicion. Ky ndoshta do të jetë testi i fundit përpara ndeshjes së parë eliminatore të evropianit me Rumaninë”, u shpreh kroati.



Në këtë përballje për ekipin kuqezi pritet të debutojë sulmuesi kosovar, Ahmed Januzi. Anëtari i Vorsklas deri më tani ka qenë pjesë e pandashme e përfaqësueses U21 të Shqipërisë.



Ndeshje e vështirë për Skelën



Edhe kapiteni i Kombëtares shqiptare, Ervin Skela ndeshje miqësore kundër Andorrës e ka vlerësuar si të vështirë.



“Shpresoj që të dalim mirë nga ky takim. Ndeshja është shumë e vështirë duke parë rezultatet e fundit të Andorrës. Nëse shënoj, golin do t’ua dedikoja të gjithë fëmijëve, pasi është edhe Dita botërore e tyre”, ka theksuar ish-mesfushori i Koblenzit.