Nga Mero Baze


Ndoqa dje debatin në seancën dëgjimore me Adrian Vishën, në Komisionin e Ligjeve dhe prisja që palët të kishin siklet për atë që bënin.


Prisja së pari që Partia Demokratike të vlerësonte faktin që Visha është një avokat i besueshëm dhe i zoti, pasi ka mbrojtur  ministrin Fatmir Mediu në një çështje korruptive me pasojë vdekje të 26 personave, shkaktuar nga lobimi i djalit të kryeministrit të tyre. Nuk ja njohën këtë meritë, pasi siç dihet Mediu dhe pas tij Shkëlzeni, kanë shpëtuar jo prej avokatëve, por prej tutorëve të drejtësisë, që janë në zyrën e Sali Berishës.


Prisja nga ana tjetër që socialistët, kur Visha tha që besoj tek pafajësia e Fatmir Mediut, të tërhiqnin mbështetjen e tyre për të. Nuk e bën as ata, me sa duket të frymëzuar nga ideja se kjo nuk do tua humbiste votën e Mediut dhe Metës në votimin e fshehtë në parlament, duke bërë llogaritë me gishta poshtë tavolinës.


Hipokrite është pikë së pari, që avokatin real të një çështje që prek të birin e kryeministrit, ta quajë të pabesueshëm grupi parlamentar i kryeministrit. I vazhduar më tej arsyetimi me linjën e hipokrizisë së tyre, i bie që meqë Visha është i pabesueshëm si avokat dhe meqë i ka shpëtuar klientët e vet, atëherë i bie që klientët e tij janë të fajshëm dhe Mediu e pas tij dhe Shkëlzeni ti dorëzohen drejtësisë.


Hipokrit dhe turpërues është qëndrimi i opozitës, e cila beson më shumë tek marifetet se sa tek parimet në luftën politike. E përfshirë në një betejë të pakuptimtë për një test të shumicës në Kuvend, ajo shpreson të marrë votat e dy aleatëve të qeverisë, të cilët janë më së shumti të përfolur për korrupsion, LSI dhe Mediut. E gjithë kjo nuk sjell asnjë shqetësim për Berishën, pasi ai vet ka përballë dy kandidatura, njërin shok shkolle me të birin, tjetrin avokat të të birit, kështu që në të dy rastet është i fituar. Biles në rastin e Vishës është edhe më i fituar, pasi mund ta marrë lajmin kur të jetë në Bruksel dhe do t’i thotë Jozef Daul-it se i ka aq mirë punët me opozitën, saqë sapo i ka dhënë dhe një anëtar të KLD-së në parlament.


Duke qenë një test për marifetet dhe jo për parime politike, ai është test për puç ndaj vlerave opozitare dhe jo një test për puç ndaj shumicës së Berishës. Biles ky test ka për të zhdukur dhe votën e shumicës së fshehtë brenda opozitës që do votojë kundër Vishës dhe votën e fshehtë që mund të ketë porositur Berisha pro Vishës, pasi askush nuk do të ketë shansin të provojë se mbrojti parimet. Nëse opozita heq dorë nga lufta parimore si opozitë dhe nëse mendon se Berishën do ta përmbys me llogari dhe aleanca fluide, rruga më e thjeshtë është që Edi Rama të ulet me Ilir Metën dhe Fatmir Mediun dhe të rrëzojnë Berishën. Natyrisht, unë dhe mijëra të tjerë nuk do të ndjenim asnjë lloj gëzimi nga shkëmbimi i pushtetit, por të paktën ëndrra e njerëzve që ëndërrojnë karrige në opozitë, do realizohej më shpejt dhe pa sakrifica, ashtu siç janë mësuar.


Po ashtu, shumë gjëra nuk kishin për të lëvizur. Njerëzit e LSI-së, Mediut apo çamëve, do të ishin sërish në poste me përqindje dhe objektiv plaçkitjen e çdo gjëje që u del përpara. Koncesionet apo privatizimet e dyshimta nuk do të anuloheshin, pasi në shumicë janë pazare dypalëshe. Kajolli nëse ja del të arratiset nga shtëpia, nuk do kapet kurrë, se do ta kemi pjesë të pushtetit. Zamiri do vazhdojë të hyjë me Bently nga oborri i pasëm i kryeministrit çdo natë, siç bën rregullisht tani dhe do diskutojë si mund të rrëmbehet ndonjë copë më shumë nga ky vend i superlodhur nga plaçkitjet. Gjykatat dot ishin po ato, me ndryshimin që avokatët sekserë do bëheshin gjykatës dhe gjykatësit sekserë do bëheshin avokatë. Shkëlzenin, Mediu-n, Ndre-në Metë-n dhe çdokënd tjetër nuk do ti rigjykonim pasi do ishin pjesë e marrëveshjes, ndërsa Damianin, Fatmirin, Halimin, Strazimirin dhe gjithkënd nga Komisioni i Ligjeve do ti shikonim prapë duke folur për reforma në drejtësi. Por, mbi të gjitha  Berishën nuk do ta nxirrnim dot në pension, pasi njësoj si pas vitit 1997, do ta ridëgjonim si opozitar që do ti akuzonte të gjithë si pjesëtarë të një puçi të Mafies shqiptare dhe asaj ndërkombëtare kundër tij. Dhe, nuk është se nuk do të ribesohej.