Në kujtim të personave që humbën jetën si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut dje në Tetovë, kryetari i Komunës, Hisen Xhemaili ka njoftuar se nesër dhe pasnesër Tetova do të jetë në ditë zie.

Ai ka thënë për Zhurnal se tashmë të gjitha institucionet janë angazhuar për normalizimin e gjendjes, derisa ka shtuar se në teren ka dalë edhe ushtria e cila është në kërkim të një fëmije i cili është shpallur i zhdukur në fshatin Shipkovicë të Tetovës.

Sipas tij, pasi të gjendet trupi i fëmijës, atëherë ushtria do të aktivizojë edhe makinerinë për të pastruar rrënojat.

"Nesër dhe pasnesër vendosëm që në Tetovë të shpallet ditë zie për të nderuar viktimat e fatkeqësisë natyrore. Këshilli komunal unanimisht vendosi që fillimisht t'iu ndihmojë familjarëve të viktimave me nga 1 mijë euro për çdo person që humbi jetën tragjikisht në përmbytjet e djeshme", ka theksuar Xhemaili.

Ai ka bërë të ditur se Këshilli i emergjencave ka mbajtur sot një mbledhje në të cilën u vendos që banorëve të rrezikuar urgjentisht t'u sigurohet ujë i pijshëm, ushqim i sigurt dhe medikamente.

"Jemi duke angazhuar maksimalisht që banorëve shqiptarë t'u dalim në ndihmë. Në mbledhjen e sotme të Këshillit të emergjencës hartuam planin se si popullatës së rrezikuar t'iu sigurohet ujë i pijshëm, ushqime dhe medikamente", ka thënë Xhemaili, duke shtuar se ka pranuar ndihmë edhe nga përfaqësues të Armatës së Republikës së Maqedonisë (ARM), Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), Komunës së Tetovës, biznesmenë dhe autoritete tjera, me të cilët është hartuar plani për të vepruar konkretisht për të zbutur gjendjen e rëndë të banorëve shqiptarë nga Tetova dhe rrethina.