Me thirrjen "Të nderuar studentë, nënshkruani kundër raportit të Dick Martit", në Universitetin Shtetëror të Tetovës, në Maqedoni, filloi sot të firmoset peticioni kundër raportit të Dick Martit, njoftoi zyra e shtypit e USHT-së.


"Raporti i Dick Martit për përfshirjen e drejtuesve të UÇK-së në trafiqe dhe në afera të paligjshme është i pabazë dhe si i tillë duhet të kundërshtohet", theksoi Merale Xhelili, studente e USHT-së, nënshkruese e peticionit të lartpërmendur.


"Ky dokument, i paraqitur nga europarlamentari zviceran në Këshillin e Evropës, kategorikisht duhet të kundërshtohet përderisa njollos figurat historike të shqiptarëve dhe mbarë kombin tonë", deklaroi një student tjetër, i cili hodhi firmën e tij në peticionin kundër raportit të Martyt.


Miftar Emini, përfaqësues i Parlamentit të Studentëve të USHT-së, i angazhuar për peticionin në fjalë konfirmoi se studentët e të gjitha fakulteteve të USHT-së, në Tetovë kanë filluar ta nënshkruajnë këtë peticion dhe numri i tyre është i konsiderueshëm.


"Për të firmosur këtë peticion mjafton letërnjoftimi i çdo studenti për t`u bashkuar me qindra studentë dhe profesorë që kanë firmosur këtë peticion edhe në USHT", tha Emini.


Organizatorët e peticionit bënë të ditur se peticioni kundër raportit të Dick Martyt në USHT do të nënshkruhet edhe gjatë ditëve në vijim dhe se nënshkrimet e grumbulluara do të dorëzohen në selinë e Këshillit të Evropës.