Ka ndërruar jetë 33 vjeçari me inicialet B. A. nga fshati Poroj i Tetovës, i punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, si pasojë e plagëve të marra në kokë nga tentativa e tij e vetëvrasjes disa ditë më parë. Sipas të dhënave të policisë, 33 vjeçari ishte dërguar në spitalin e Tetovës që prej së hënës, kurse që nga e hëna u transferua në klinikën e Shkupit. “Ekipet e SPB-së në Tetovë, gjykatësi hetues dhe prokurori publik, që hetuan vendin e ngjarjes, gjetën pistoletën CZ me të cilën është kryer vetëvrasja. Sipas dëshmive të të afërmve, punonjësi i MPB-së vuante kohët e fundit nga depresioni, madje kishte tentuar edhe një herë më parë vetëvrasjen, raporton Alsat-M.


Zëdhënësi i policisë së Tetovës, Marjan Josifovski konfirmoi se personi i vetëvrarë ka qenë punonjës policie dhe për aktin e tij vazhdon ende hetimi. Por kjo nuk është vrasja e parë në luginën e Pollogut. Gjatë tre vjetëve të fundit ky fenomen ka shënuar rritje, pa si në mesin e banorëve, ashtu edhe në radhët e policisë.


Në Maqedoni, që nga pavarësimi i saj janë shënuar dhjetëra vetëvrasje pjesëtarësh policie. Vetëm në Pollog, që nga viti 2010 numërohen tre policë të vetëvrarë, konfirmuan nga Policia e Tetovës./Indeksonline/