PRISHTINË-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, uroi kryeministrin e sapozgjedhur slloven, Janez Jansha.
"Kam nderin dhe privilegjin e veçantë që, në emër të qytetarëve dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës si dhe në emrin tim, t’Ju përgëzoj për zgjedhjen tuaj kryeministër i Sllovenisë”, thuhet në urim.
Sllovenia, shton kryeministri Thaçi, është një shtet mik, që ka ndikuar pozitivisht në të gjitha zhvillimet politike në Kosovë, në të gjitha periudhat historike, që kulmoi me njohjen e shpejtë të pavarësisë së Kosovës më 2008.
"Institucionet e Kosovës dhe qytetarët e saj çmojnë lart kulturën dhe zhvillimet demokratike të vendit tuaj, ashtu edhe përkushtimin e përgjithshëm për zhvillimin ekonomik, modernizimin e shoqërisë sllovene dhe integrimin e saj në botën e përparuar”, thekson kryeministri kosovar.
Në urimin drejtuar kryeministrit të sapozgjedhur Jansha, kryeministri Thaçi garanton për miqësinë e popullit të Kosovës, thellimin e bashkëpunimit të institucioneve të Kosovës në të gjitha fushat, "me urimin që të dy shtetet tona dhe popujt miq të shënojnë arritje edhe më të mëdha si në nivel të brendshëm, ashtu edhe në atë global".
(d.b/BalkanWeb)