Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i vlerësoi si të suksesshme zgjedhjet e djeshme lokale, të parat pas pavarësisë së vendit. Me tone shumë pozitive, Thaçi theksoi se Kosova e kaloi provimin dhe arriti të vetadministrojë një proces të tillë, ndërsa përshëndeti reagimin e komunitetit serb në Kosovë, të cilët i zgjodhën vetë drejtuesit lokalë. "Shtetasit serbë e kanë dhënë verdiktin se e kanë ndjerë Kosovën vend të tyre. Jam gati që nesër të punoj me të zgjedhurit lokalë të tyre për të ardhmen tonë të përbashkët", u shpreh Thaçi në një prononcim për "Top Channel". Njëherazi edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Thaçi u shpreh i bindur në një fitore të thellë të forcës politike që drejton.