PRISHTINë- Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka konsideruar Kompleksin Memorial Adem Jashari si një vend që bashkon të gjithë shqiptarët.
Kryeministri ka zhvilluar sot një vizitë në Prekaz për të nderuar dhe për t’u njohur nga afër me punimet që janë duke u zhvilluar në Kompleksin Memorial Adem Jashari, ku prehen në amshim 60 heronj e dëshmorë të rënë në epopenë e Jasharëve, më 5, 6 e 7 mars 1998.

“Qeveria do të vazhdojë te kryej obligimet e veta për projektin e Kompleksit Memorial të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari. Ata për ne paraqesin sublimimin e sakrificave dhe përpjekjeve shekullore të popullit tonë për liri, pavarësi dhe shtet”, deklaroi në Prekaz kryeministri Thaçi.
Një ditë pasi qeveria e Kosovës miratoi Projektligjin për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të UçK-së, Viktimave Civile dhe Familjeve të Tyre.

Projektligji, mes tjerash, njeh statusin e Komandantit Legjendar për Adem Jasharin, ndërsa familjes së tij në Prekaz të Skenderajt i siguron të drejta dhe përfitime të përcaktuara nga ky ligj, që do të kalohet për miratim në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
(m.a/ata/BalkanWeb)