Prishtinë (Start) - Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga ministri i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Tekonologjisë, Enver Hoxhaj dhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Enver Hasani ka vënë sot solemnisht gurthemelin e Fakultetit të Edukimit në Prishtinë.
Me këtë rast para studentëve dhe mësimdhënësve të Fakultetit të edukimit , kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se ky ka qenë vit historik i investimit në edukim në Kosovë, duke përgëzuar të gjithë studentët, mësimdhënësit, gjithë arsimin e lartë në këtë ditë të rëndësishme për Fakultetin e Edukimit.
“Ky është një investim i ri, për krijimin e kushteve më të mira për mësim për studentët, mësimdhënësit. Kjo është në vazhdën e përkushtimeve që do të tregojmë si Qeveri e Republikës së Kosovës, si Ministri e Arsimit, në bashkëpunim edhe me Rektoratin”, tha kryeministri Hashim Thaçi, duke shtuar se në fillim të vitit të ardhshëm do të fillojë ndërtimi i objektit të ri të Fakultetit Juridik dhe renovimi i Rektoratit, Institutit Albanologjik, në mënyrë që të ndryshojmë këtë pamje jo edhe aq të mirë të kompleksit të Universitetit.
Më tutje, kryeministri Thaçi ka premtuar se me reformat që kanë filluar në arsim, me autonominë financiare që do të ndodhë në fillim të vitit të ardhshëm edhe pagat e mësimdhënësve të Universitetit do të dyfishohen.
“Edukimi është dhe do të mbetet prioriteti kryesor i Qeverisë edhe për vitin e ardhshëm”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.
Filimin e ndërtimit të objektit të ri të Fakultetit të Edukimit në Prishtinë e kanë përshëndetur ministri Enver Hoxhaj dhe rektori i Universitetit të Prishtinës Enver Hasani.