Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kërkuar nga homologu i tij nga Shqipëria, Ilir Meta që shteti shqiptar tu lëshojë nënshtetësi qytetarëve të Kosovës në mënyrë që të shmanget nga izolimi, që sipas tij, i ka vënë Bashkimi Evropian Kosovës.


Bashkimi Evropian e ka sjellë në një pozicion të izolimit klasik Kosovën, në veçanti me çështjen e liberalizimit të vizave, ka thënë Thaçi.


Këto komente, Thaçi i ka bërë gjatë një konference të përbashkët me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, i cili po qëndron në Prishtinë, raporton REL.


Presidenti Meta është pritur në Prishtinë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi me ceremoni shtetërore.


Presidenti Thaçi i ka ndarë homologut të tij nga Shqipëria çmimin, Urdhri i Pavarësisë, për meritat dhe angazhimet e Presidentit Meta për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.


Por, një shqetësim që ka ngritur me këtë rast, Thaçi kishte të bënte me izolimin e qytetarëve të Kosovës, për shkak të lënien anash të Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave.


Ai tha se ka shumë studentë, punëtorë e qytetarë të Kosovës që për shkak të izolimit, nuk mund të shkojnë në vendet evropiane. Andaj, i bëri thirrje Tiranës, që në harmoni me ligjet dhe Kushtetutën tu mundësojë kosovarëve që të marrin nënshtetësi të shtetit shqiptar, në mënyrë që të fitojnë të drejtën për pasaporta dhe liri të lëvizjes.


Shqetësimi im është se jemi tërësisht të izoluar dhe pa perspektivë në familjen euro-atlantike, ka thënë Thaçi.


Ndërkohë, presidenti Ilir Meta tha se ndodhet në një pozitë mjaft të vështirë, ngase ka shumë kërkesa nga qytetarët e Kosovës që të marrin nënshtetësinë e Republikës së Shqipërisë për ti shpëtuar bllokadës në të cilën ai tha se padrejtësisht janë vënë.


Theksojmë domosdoshmërinë e dhënies fund të këtij izolimi, për të mos thënë këtij diskriminimi që u është vënë qytetarëve të Kosovës, ka thënë Meta. Ai tha se e konsideron të padrejtë kushtëzimin që i është vënë Kosovës me ratifikimin e Demarkacionit dhe liberalizimit të vizave.


Në agjendën e presidentit Meta janë edhe takimet me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, pastaj me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli dhe zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Behgjet Pacolli.


Vizita e parë shtetërore e Presidentit të Shqipërisë në Kosovë përmban edhe takimin me krerët e partive parlamentare si dhe homazhe te Varri i Presidentit Ibrahim Rugova dhe në Kompleksin e Memorialit Adem Jashari, në Prekaz-Skënderaj.


11 tetor 2017 (gazeta-Shqip.com)