Kryeministri Hashim Thaçi ka ngushëlluar presidentin e SHBA-se, Barack Obama dhe popullin amerikan, për vdekjen e ish-sekretarit të Shtetit, Warren Christopher.

 


“Sekretari Christopher ishte ndër politikanët dhe diplomatët më të shquar amerikanë, që dha kontribut të çmuar në të gjitha periudhat, duke promovuar dhe mbrojtur vlerat më kulmore të paqes, lirisë, demokracisë dhe zhvillimit në mbarë globin”, thuhet në deklarate.

Vdekja e veteranit të diplomacisë amerikane, sipas Thaçit, është humbje e madhe, jo vetëm për SHBA të, por edhe për popujt për të cilët ai dha kontribut të jashtëzakonshëm në krijimin e paqes dhe arritjen e lirisë.

 


“Diplomati Christopher ishte pjesë substanciale e politikës së SHBA-ve për të mbështetur lirinë, pavarësinë dhe demokratizimin e Kosovës. Qeveria dhe populli i Kosovës do të jetë përherë mirënjohës për kontributin e Christopher për Kosovën”.

 


Ish-sekretari amerikan i Shtetit ka vdekur të premten në Los Angelos, në moshën 85-vjeçare nga kanceri në veshkë. Ai ishte sekretar i Shtetit në administratën e presidentit Bill Clinton dhe njëri nga negociatorët kryesor në paqen e arritur në Bosnjë e Hercegovinë në vitin 1995 dhe në Lindjen e Afërt.