Njësia e Inteligjencës e The Economist ka publikuar raportin e radhës për gjendjen e demokracisë në botë. 167 vende kanë kaluar në sitën e ekspertëve, që kanë nxjerrë përfundimet për vitin 2016.


Ajo që bie në sy është një përkeqësim i demokracisë në Shtetet e Bashkuara për këtë vit, që shënoi 7.98 pikë, nga 8.05 që kishte në vitin 2015.


Sipas The Economist, demokracia e Shteteve të Bashkuara, që merret si shembull në shumë vende të tjera të botës, vetë ka rrëshqitur në rangun e brishtë.


Janë 60 indikatorë nga pesë fusha të ndryshme, si proceset zgjedhore dhe pluralizmi politik, funksionimi i qeverisë, përfshirja në politikë, kultura demokratike e shoqërisë civile dhe liritë e qytetarëve. Këta tregues analizohen e shqyrtohen për përcaktimin e gjendjes së demokracisë në një vend të caktuar, që vlerësohet më pas nga 1 deri tek 10.


Sa i takon vendit tonë, The Economist vëren se demokracia shqiptare mbetet ende e brishtë dhe për 2016 u vlerësua me 5.91 pikë, po aq sa në 2015.


Vlerësimin maksimal ka marrë Norvegjia me 9.93 pikë, ndjekur nga Islanda me 9.50, Suedia, Danimarka, Kanadaja e Australia.


12 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)