LONDËR- 78 vrasës shqiptarë kërkohen në Britaninë e Madhe. Është ky titulli i një shkrimi ekskluziv të publikuar nga e përditshmja prestigjoze britanike The Sun, sipas së cilës, 100 kriminelë shqiptarë, 78 prej të cilëve vrasës janë në kërkim në Mbretërinë e Bashkuar. Mes tyre ndodhen edhe përdhunues, trafikantë droge dhe grabitës. Sipas gazetës, pjesa më e madhe e tyre kanë jetuar në Britani për vite me radhë duke kryer edhe më shumë krime nën emra të falsifikuar. Disave madje u është dhënë edhe pasaporta britanike, pasi u larguan nga vendlindja”-vazhdon The Sun, sipas së cilës vrasësit shqiptarë kërkohen nga Njësia e Ekstradimit e Scotland Yard, në mënyrë që të përzihen nga Britania e Madhe.

The Sun raporton se dy detektivë nga kjo njësi kanë përpiluar një dosje mbi këta kriminelë të kërkuar, bazuar edhe në informacionet e marra nga policia shqiptare. Një prej të shumëkërkuarve është bosi i një bande ndërkombëtare, një tjetër ka qëlluar viktimën e tij me automatik menjëherë pasi doli nga burgu. “Këta njerëz do të kalojnë gjithë jetën e tyre duke u ruajtur nga pas”- shprehet rreshteri Mel Humphreys, i njësisë së ekstradimit. The Sun citon edhe Pëllumb Seferin, kreun e Interpolit në Shqipëri që thotë se pjesa më e madhe e këtyre 100 kriminelëve janë tepër të rrezikshëm. “Na duhet të punojmë fort me kolegët tanë në Londër që ti nxjerrim këta kriminele para drejtësisë në Shqipëri”-shprehet Seferi. Scotland Yard ka shënuar disa raste të suksesshme, sic është ai i Marash Gjokës. 48 vjecari u gjet në Catford, në juglindje të Londrës pas 11 vjetësh në arrati. Ai u ekstradua në Shqipëri ku përballet me 20 vjet heqje lirie. Po kështu edhe 44 vjecari Lulëzim Hoxhaj, i cili u arratis në Britaninë e Madhe në 1999 pasi vrau një burrë dhe plagosi dy të tjerë, u kap në Neëcastle dhe u ekstradua më pas në Shqipëri.
(m.a/NEWS24/BalkanWeb)