E përditshmja londineze, “The Times”, në artikullin në lidhje me lirimin nga Tribunali në Hagë të gjeneralëve kroatë, Ante Gotovina dhe Mladen Markac, vlerësoi se gjatë onfliktit në ish-territoret e Jugosllavisë të gjitha palët kanë kryer krime, por shtoi se nuk janë të gjithë njësoj fajtor dhe nënvizoi se përgjegjësinë më të madhe për gjakderdhjen e mban presidenti i dikurshëm i Serbisë, Slobodan Miloshevici. “Qytetarët serbë të Kroacisë vërtetë kanë qenë viktima të krimeve të luftës. Por përgjigjja e duhur e Qeverisë së Serbisë do të duhej të ishte pranimi i vendimit të gjykatës si fjali përfundimtare për konfliktin dhe të pranojë se rrënjët e shpërbërjes së Jugosllavisë gjenden në vendimet, të cilat janë marrë në Beograd”, theksoi Times. Sipas gazetës, Miloshevici ka pasur ëndërr realizimin e qëllimit të pamëshirshëm dhe fanatik për krijimin e Serbisë së Madhe të pastër etnikisht. Times kujtoi se forcat kroate në gusht të vitit 1995 ndërmorën operacionin “Stuhia”, gjatë së cilit rreth 200 mijë serbë kanë ikur apo janë dëbuar nga shtëpitë e tyre, ndërsa 150 tjerë janë vrarë. Këto kanë qenë krime dhe Gjykata e OKB-së nuk i ka vënë në pikëpyetje, por vendimi për lirimin e gjeneralëve kroatë e ka bazuar në vlerësimin se dëbimi i serbëve nuk ka qenë rezultat i një ndërmarrjeje të bashkuar kriminale, konstaton “Times” dhe vlerëson se operacioni “Stuhia” u dëshmua si vendimtar në ndalimin e Miloshevicit, shpëtoi Bosnjën nga vuajtjet e mëtejshme dhe mundësoi arritjen e Marrëveshjes paqësore të Dejtonit. Gjykata e Hagës, sipas vlerësimit të gazetës londineze, nuk është e përkryer, por përfaqëson një përpjekje të ndershme për të kënaqur drejtësinë.