22/09/2011  Kjo falë përmirësimit të infrastrukturës dhe sigurisë që ofron kjo shkollë


GJIROKASTER - Marjeta, Anxhela dhe Valentina, janë tre vajza 15-vjeçare që sivjet do të studiojnë për herë të parë në shkollën e mesme profesionale të Gjirokastrës. Prej 14 vjetësh në këtë shkollë regjistroheshin vetëm djemtë, por sot gjërat kanë ndryshuar në sensin pozitiv.


Tre vajzat kurajoze kanë lënë të habitur vetë mësuesit, të cilët nuk e prisnin këtë “përmbysje” të parakohshme. Thoma Voda, drejtori i shkollës së mesme profesionale, tregon se dy muaj më parë nuk ishte parashikuar të regjistrohesh asnjë nxënëse femër, por falë përmirësimit të infrastrukturës dhe sigurisë që ofron kjo shkollë, sot kemi një tjetër realitet. “Të them të drejtën, prej një dekadë e gjysmë asnjë vajzë nuk është regjistruar. Sivjet “ngjyrat” ndryshuan dhe ndihem i lumtur për këtë realitet të ri”, shprehet Voda. Sipas tij, dikur kjo shkollë ishte gati për t’u mbyllur. Nxënësit pothuajse numëroheshin me gishta, ndërsa logjistika mësimore ishte shkatërruar. Deri katër vite më parë, vijon Voda, godina trekatëshe e shkollës profesionale, që ndodhet në krahun e majtë të rrugës kombëtare Gjirokastër-Kakavijë, 500 metra poshtë lagjes “Zinxhira”, ishte zaptuar nga gjashtë familje tepelenase, të ardhura nga zonat e thella në vitin 1997. “Qysh prej atij viti kjo shkollë u braktis. Nxënësit u larguan. Kushtet higjieno-sanitare ishin skandaloze. Godina u dëmtua rëndë, megjithatë i mbijetoj shkatërrimit fal kurajoz së disa mësuesve”, tregon Voda. Për të, kjo shkollë dikur ishte një “ferr”, sot është një “parajsë” për brezin e ri. Politikat afatmesme dhe afatgjata që ka ndjekur qeveria shqiptare tashmë po japin frytet e veta. “Jetojmë në një ekonomi të lirë tregu. Gjirokastra ka potenciale për t’u zhvilluar ekonomikisht, por fatkeqësisht ndihet mungesa e punëtorëve të kualifikuar”, mendon Voda.


“Në përgjithësi këto kompani nuk bëjnë diskriminim gjinor. Mjafton që ato ose ata të jetë të kualifikuar dhe t’i përgjigjen kërkesave të tregut”, shton ai. Më tej, drejtori i shkollës profesionale thekson se ky institucion aktualisht është profilizuar në tre degë kryesore: elektrikë, teknologji-informacion-komunikim (TIK) dhe hidroteknikë. “Këto tre profesione janë shumë të kërkuara në treg. Nxënësit që dalin nga kjo shkollë e kanë të sigurt tregun e punës, pasi janë të arsimuar, të profilizuar dhe të kualifikuar”, specifikon Voda, që shton se nga viti në vit numri i nxënësve po rritet, nga 28 që u regjistruan tre vite më parë, sivjet numri i tyre është dyfishuar. Sipas tij, këto ndryshime që po ndodhin në arsimin shqiptarë ka ndikuar në interesimin e prindërve që dëshirojnë një të ardhme të sigurt për fëmijët e tyre. Këtë mendim, Vodo e argumenton duke marrë si shembull shkollën e mesme profesionale “Beqir Çela” në Shkozet të Durrësit.


“Në Durrës kërkesat për t’u “rrëmbyer” një profesion janë rritur aq shumë sa shkolla prej 15 vjetësh aplikon konkursin. Mos u habit që ky model brenda disa viteve mund të zbatohet edhe në Gjirokastër”, thotë Voda, që shton se kjo shkollë mbështet financiarisht nga qeveria shqiptare, gjermane dhe zvicerane nëpërmjet projektit të përbashkët “Albvet”. Ai mendon se këto ndryshime rrënjësore në arsimin e mesëm profesional ka ndikuar tek prindërit e tre vajzave 15-vjeçare, që sivjet do të studiojnë në degën TIK. “Babai dhe im vëlla ndikuan në vendimin tim për të vijuan shkollën e mesme profesionale”, tregon Anxhela. “Kisha ëndërr të fitoja një zanat, ndërsa prindërit më mbështetën”, thotë shkurt Marjeta, një vajzë bionde, trup vogël dhe e shkathët. Thoma Voda, drejtori i shkollës, i cili ndjek bisedën, shton se ky është vetëm fillimi.


“Për mendimin tim, këto tre vajzat janë “qershia mbi tortë”. Ato thyhen një tabu dhe në të ardhmen këto vajza do të vlerësohen për emancipimin dhe frymën e re që sollën në arsimin profesional”, specifikon ai.