TIRANE - Në prag të ndeshjes ndoshta më të rëndësishme në historinë e kombëtares shqiptare dhe kur nevoja për të pasur sa më shumë mbështetës në shkallët e stadiumit, FSHF ka vendosur që për sfidën me Norvegjinë të ngrejë çmimin e biletave. Kështu në krahasim me çmimet e biletave në ndeshjet e tjera eliminatore, sfida me Norvegjinë rezervon çmime më të kripura.

Për këtë ka reaguar edhe grupimi i ‘Tifozat Kuq e Zi’. “Çmimet çmimet e biletave për ndeshjen me Norvegjinë janë më të larta se herët e tjera” deklaron grupimi i tifozëve kuqezinj. Por sipas tifozëve arsyeja e ngritjes së çmimeve lidhet me interesimin e madh që ka kjo sfidë.

Zgjidhja sipas tyre është ndërtimi i një stadiumi të ri, i cili do të sheshonte problemet, pasi duke pasur më shumë vende në dispozicion do të shmangej ngritja e çmimeve. “Duhet me doemos një stadium i madhe për të përballuar kërkesa e shumta në këtë mënyrë do të uleshin edhe çmimet.

Por, pjesmarrjen s'mund ta kufizoj cmimi pasi Kombetarja per ne nuk ka cmim”. Por Federata për këtë çështje ka një përgjigje të kundërt. Sipas saj çmimet janë shumë të ulëta në krahasim me vendet e tjera në Evropë dhe se rritja ka qenë e lehtë.

“Çmimet janë mëse normale për një ndeshje të tillë ku interesimi është mjaft i madh nga të gjithë shqiptarët. Në Evropë nuk mund të shikosh një ndeshje me çmimin e një bilete në Shqipëri, pasi është shumë herë më e lartë.

Nga biletat e tifozëve do të dalë edhe premio për futbollistët” thotë zëdhënësi i shtypit në FSHF, Lirim Zalla për ‘Shqiptarja.com’. Çmimet janë 8 mijë lekë në tribunën VIP, 5 mijë në A dhe B, D2 3 mijë lekë, D1 & D3 2 mijë lekë dhe C dhe E 5 mijë lekë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 01.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)