Kanë qenë të shumta koncertet me muzikë xhaz, që janë zhvilluar këto ditë maji,duke sjellë në Tiranë dhe shumë artistë të njohur botërorë. Ndërkohë që mbrëmë një tjetër emër i njohur i muzikës blues performoi në skenën e arteve. Një nga personalitetet më të mëdha të muzikës në Holandë, Marcel Worms performoi tinguj të magjishëm të kësaj rryme muzikore në skenën shqiptare. New blues for piano titullohej koncerti që u zhvillua në Akademinë e Arteve. Në repertorin e këtij koncerti ishin përfshirë pjesë të njohura dhe që janë interpretuar me sukses në skenat botërore.

Artisti i cili vjen nga Holanda ka një aktivitet të larmishëm muzikor në shumë skena të botës, duke u renditur ndër emrat më të njohur të kësaj rryme muzikore. Me këtë koncert që u zhvillua në Akademinë e Arteve, publiku shqiptar provoji të tjera emocione, të cilat kësaj here erdhën nga artisti holandez Worms. Duket se muzika xhaz edhe blues ka hyrë së tepërmi në jetën artistike të kryeqytetit. Kështu disa ditë më parë, nga data 12 deri në 16 maj u zhvillua një festival i veçantë Tirana Jazz  Festival, në të cilin interpretuan disa nga emrat më të njohur botërorë të xhazit. Edhe këtë vit ky festival erdhi me të njëjtën filozofi më të cilën edhe ka nisur, të promovojë xhazin individual, tradicional, kreativ, modern dhe bashkëkohor, por edhe ti kushtojë vëmendje xhazit standard. Gjithashtu pak ditë më parë është zhvillua për herë të parë në vendin tonë, një tjetër koncert i veçantë me tinguj të muzikës blues, në Pallatin e Kongreseve. Katër nga grupet më të njohur në botë në këtë zhanër interpretuan për publikun shqiptar, muzikën e tyre legjendare. Me anë të këtij koncerti erdhi për herë të parë në Tiranë, grupi i njohur anglez që luan dhe krijon muzikë blues qysh prej viteve 60 The Animals, kitaristi dhe këngëtari i muzikës blues, që ka thyer rekorde me mbi 50 albume, Louisiana Red, banda e Dr. Feelgood që prej vitit 1971 performojnë muzikë nga Anglia e në gjithë botën, si dhe amerikani Lance Lopez. Ndërkohë që artisti holandez Marcel Worms është angazhuar prej disa vitesh në një repertor klasik-modern të influencuar nga xhazi. Prej pozicionit që ka blues në xhaz, ai e gjeti tërheqëse idenë të komisionojë shumë kompozitorë holandezë për të shkruar pjesë blues. Seria e parë e këtyre veprave ka qenë gati në fund të vitit 1996 dhe është performuar premierë në Bimhouse, skena kryesore e xhazit, Picasso and the Music of his Century, Via Records, në Amsterdam. Pas kësaj premiere, kompozitorë nga vendet ku performonte Marcel u ftuan të kontribuojnë në projekt. Aktualisht 170 pjesë të reja blues nga 50 vende të ndryshme (Channel Classics) janë përfunduar dhe ky numër është gjithnjë në rritje. Nga këto pjesë, mund të marrim idenë se ç'kuptim ka blues për  një kompozitor bashkëkohor. Ndërsa krahasojmë blues të kompozuara nga kompozitorë prej vendesh të ndryshme, mjedise te ndryshme kulturore janë shpesh të dallueshme qartësisht. Një përzgjedhje nga repertori i ''New Spanning the Globe Blues'' u dëgjua në këtë koncert. Kompozitorët kanë qenë të lirë të përdorin ose jo elementet e blues, si notat blu, disa seri akordesh, etj. Pjesa më e madhe e veprave janë tërësisht të kompozuara ndërsa në disa prej tyre i lihet diku edhe mundësi improvizimi performuesit. Koncerti ishte një tjetër performancë muzikore blues, e cila përcolli argëtim për publikun e kryeqytetit.