01/06/2005  Aromë ballkanike


I konsoliduar tashmë si një eveniment i rëndësishëm artistik, Festivali i jazz-it ngre siparin në datën 5 qershor me një parti promovues, duke premtuar kështu një javë të mrekullueshme, nën tingujt emocionues të muzikës jazz


Muaji qershor mund të konsiderohet pa frikë edhe si muaji i jazz-it, pasi pothuajse në të gjithë globin ky muaj është një periudhë kohore, që me një "marrëveshje" të padeklaruar, i kushtohet jazz-it. Askush nuk mund të thotë me saktësi se si është krijuar kjo traditë dhe pse pikërisht në muajin qershor. Në të njëjtin kuadër përfshihet edhe "Tir jazz fest", i cili kremton vitin e katërt të organizimit në Shqipëri.


"Ky festival është një podium shumë profesional dhe prestigjioz, i cili sjell në vendin tonë emra të mirënjohur të kësaj muzike. Ne jemi përpjekur të sjellim artistë që shquhen për sensin e tyre krijues, jashtë kuadrit të jazz-it standard dhe, natyrisht, një ekip pjesëmarrësish, të cilët nuk kanë ardhur më parë në Tiranë", thotë për "Metropol", Fatos Qerimi, drejtori artistik i këtij festivali. Në festival do të marrin pjesë grupe të ndryshme artistësh, të cilët përfaqësojnë edhe rryma të ndryshme, derivate të jazz-it klasik, si nga Rumania, Franca, Gjermania, Italia dhe Kosova, por edhe një DJ-ei, i cili luan në sensin e jazz-it modern apo elektro-akustik. Qerimi thotë se nga viti i parë i organizimit të këtij evenimenti, vit i cili synoi prezantimin para publikut shqiptar të pjesëve të kolosëve të jazz-it klasik botëror, si nga instrumentistët e huaj, ashtu edhe ata shqiptarë, me kalimin e kohës, duke përfshirë edhe këtë edicion, "u mendua që festivali të mos kishte këtë tendencë të prezantimit të rrymave klasike, por të shprehte tendencat më bashkëkohore, sikundër në të gjithë rrafshin global, versionet elektro-akustike të tij si, fusion-jazz, out-jazz, acid-jazz, kontemporan-jazz, në mënyrë që ne të ngjisnim në skenë gjithë krijimtarinë më ambicioze të instrumentistëve apo të grupeve të jazz-it që konkurrojnë midis tyre, nëpërmjet këtyre performancave". Qëllimi i këtij festivali, sipas Qerimit, është të evidentojë dhe të informojë sa më mirë publikun shqiptar, pikërisht me arritjet më të fundit në këtë zhanër të magjishëm muzikor. Edhe këtë vit, ky aktivitet realizohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, i ideuar nga "Moving Culture" me producent Petrit Serailin, si edhe në bashkëpunim produksional me kanalin televiziv "Vizion Plus" dhe "Oxigen radio", me sponsor gjeneral kompaninë celulare "AMC". "Ne shprehim mirënjohjen tonë për të gjithë ata që na mbështesin në


këtë aktivitet, por gjithsesi ende konstatojmë që është pak e vështirë të tërheqim përfaqësues të biznesit, pasi edhe njohësit e mirë të jazz-it dhe të apasionuarit e tij, nga ky grup janë të pakët", shpjegon Qerimi, i cili shton se ky është një projekt i organizuar mjaft mirë, deri në detaje nga Adrian Mullai dhe me konsulencën e Edi Mukës.


Aromë ballkanike


E veçanta e këtij aktiviteti është se Ballkani do të ketë një vend special, pasi do të ketë netë të veçanta që do t'i kushtohen rajonit tonë, prezantuar si nga grupi shqiptar, ashtu edhe ai rumun. Kjo, edhe pas sugjerimit të ministrit Klosi, në kuadër të aktiviteteve të menduara në takimin e Unionit Ballkanik. "Ky fakt ka ndihmuar edhe në aspektin financiar të festivalit, pasi, p.sh. grupi rumun është sponsorizuar nga ambasada rumune, në të njëjtën kohë që ambasadat e huaja janë shumë indiferente ndaj aktiviteteve të tilla si edhe ndaj artistëve pjesëmarrës në to. Katër herë që ne kemi ftuar artistë nga Serbia, ambasada serbe në Tiranë nuk na ka ofruar asnjë ndihmë", thekson Qerimi. Një tjetër surprizë për të apasionuarit e jazz-it në vendin tonë, është edhe fakti se në këtë edicion do të ketë edhe jazz të kënduar. Nata e jazz-it evropian, që do të përfaqësohet nga banda franceze, sjell edhe interpretuesen franceze Zhanë Aded, e cila këndon e luan violinçel. Gjithashtu, edhe rumunia Maria Rudukanu, përpos zotërimit të violinës dhe kitarës, gjatë viteve '84-'92 ka marrë pjesë në festivalet më të rëndësishme të jazz-it në Rumani jo vetëm si këngëtare, por edhe si kompozitore. Edhe grupi berlinez do të ketë një soprano në përbërje të tij, e cila paralelisht luan edhe saksofon. Edhe pjesëmarrësit e tjerë në këtë festival janë emra shumë të njohur të këtij zhanri, pasi sikundër thekson edhe Fatos Qerimi, muzika jazz është një zhanër muzikor, i cili nuk mësohet në shkollë, por është një stad muzikor në të cilin "bëjnë pjesë instrumentistët më të mirë, të cilët e konsiderojnë këtë zhanër muzikor si fushën e fundit dhe më të kualifikuarën e eksplorimit të vetvetes dhe nivelit të tyre profesional". Qerimi shpreh dëshirën për të sjellë edhe këngëtaren shqiptare të jazz-it, Eda Zari, e cila zhvillon aktivitetin e saj artistik në Gjermani, por shpreh dyshimin se, në mjaft raste, artistët shqiptarë që operojnë jashtë vendit kanë pretendime të larta financiare.