Muzikantë nga vende të ndryshme të botës do të vijnë për të performuar në mjediset e Teatrit të Metropolit
Rikthehet festivali i muzikës jazz në kryeqytet. Muzikantë nga vende të ndryshme të botës si Greqia, Zvicra, Serbia, Italia dhe ShBA, do të vijnë në Tiranë për të performuar për pesë net me radhë në mjediset e Teatrit të Metropolit. Festivali vjen më të njëjtën filozofi më të cilën edhe ka nisur, të promovojë jazzin individual, tradicional, kreativ, modern dhe bashkëkohor, por edhe ti kushtojë vëmendje xhazit standard. Me zhvillimin e këtij aktiviteti, ritmet e muzikës jazz do të pushtojnë për disa ditë me radhë kryeqytetin. Nga data 12 deri më 16 maj jeta artistike e kryeqytetit do të lëviz në ritmet e muzikës jazz, bëhet e ditur nga zyra e shtypit pranë Teatrit të Metropolit. Këto 10 vitet e fundit jazzi filloi të lëvrohet në Shqipëri dhe është vënë re që interesimi i publikut për këtë rrymë është rritur gjithmonë e më shumë.

Përhapja e jazzit në vendin tonë është bërë kryesisht nëpërmjet klubeve që performojnë jazz si dhe radiove. Një nga  rrugët që ka përhapur dhe bërë të njohur këtë rrymën për publikun shqiptar janë edhe festivalet e jazzit, të cilat kanë hyrë në kalendarin e përvitshëm artistik. Ky rrugëtim ka  nisur në vitin 2000 dhe është zhvilluar në Odeonin e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës. Festivalet  janë organizuar  kryesisht në Tiranë, por edhe në Shkodër dhe Durrës. Muzikantet pjesëmarrës  kanë qenë nga Shqipëria, Greqia, Zvicra, Serbia, Italia, SH BA-ja etj. Sipas zyrës së shtypit këtë vit në Tirana Jazz  Festival rrymat që kryesisht do të luhen në festival kanë një gamë shtrirjeje nga standardja deri tek funky dhe etno, ndërkohë që festivali  Tirana Jazz Festival 2009 do të vij në skenën e Teatrit të Metropolit,  dhe ky i fundit rreshtohet ndër bashkëpuntorët e këtij edicioni. Gjatë ditëve të këtij aktiviteti në skenë do të përformojnë grupe nga më të mirënjohurit të rrymës jazz, si dhe të ftuarit special që herë pas here do ti bashkëngjiten grupeve performuese gjatë të pesta netëve të këtij festivali. Veçoria e festivalit të këtij viti është pjesëmarrja e grupeve nga Italia dhe SH.B.A-ja. Evenimenti kryesor i këtyre pesë ditëve do të jetë pjesëmarrja  e Hal Singer, lider në saksofon dhe udhëheqës i grupeve të xhazit, i cili ndonëse në moshën 90-vjeçare vazhdon të emocionojë me interpretimet e tij, ndërkohë që ky artist do të ngjitet në skenën e festivalit më 13 maj. I nderuar në Francë me titullin Chevalier des Arts (Kalorës i artit) ai njihet për interpretimet e tij të shumta në SHBA, Francë dhe Afrikë. Tirana Jazz Festival edhe këtë vit do ti sjelli publikut emra të mirënjohur të kësaj rryme, kështu natën e parë do të marrin pjesë vokalistja Crystal White, pianisti Andre Rea, në kitar bas Caramelo Lelotta, bateristi Elio Coppola dhe Jerry Weldon. Në natën e dytë përveç Hal Singer do të performojnë Jerry Weldon, pianisti Massimo Farrao, në kitar bas Aldo Zunino, bateristi Byron Landham. Data 14 maj do të sjelli në skenë vokalisten Laura Luppi, vokalistin Gian De Martini, i cili është bërë i njohur për publikun shqiptar si fitues i njërit prej edicioneve të Amici, pianisti Massimo Farao, në kitarë bas Caramel Lelotta dhe bateri Elio Coppola. Për të vazhduar në dy netët e datave 15,16 me pjesëmarrjen eskluzive të kitaristit Sandro Gibellini, lider saksofoni Jerry Weldon, piano Andra Rea e Massimo Farao, në kitar bas Aldo Zunnino e Caramel Lelota dhe bateristët Elio Coppola e Byron Landham. Festivali do të zhvillohet në orën 19.30 20.30 dhe më pas artistët do të performojnë në ambientet e Rey Jazz Club. Edhe këtë vit nuk do të mungojë tradita e masterklasave rreth jazzit në përgjithësi dhe teknikave të veçanta të tij, që do të zhvillohen gjatë gjithë javës nga ora 10-11 po në ambientet e Rey Jazz Club me studentët e Akademisë së Arteve dhe amatorë të shumtë. Këtë vit Tirana Jazz Festival vjen nën organizimin e Rei Jazz Club dhe Teatrit të Metropolit.






Last Updated on Tuesday, 05 May 2009 12:21