Nga Dash Frashëri


Dhjetë gola në ballafaqimin e dhjetë midis Tiranës dhe Kastriotit. Ekipi i Mirel Josës, Tirana shkatërroi 7-3 Kastriotin e Krujës në një ndeshje spektakolare ku prodhuan dhjetë gola nga 18 golat e shënuar në katër ndeshjet e para të javës së dytë të Kategorisë Superiore. Ky ishte rezultati më i thellë i kësaj jave së bashku me fitoren e pastër 4-0 të Flamurtarit me Apoloninë.
Golashënuesi më i mirë i sezomit të 2005-2006, Hamdi Salihi ishte protagonist i 3 golave në Tirana-Kastrioiti, po aq sa shënoi dhe bashkëqytetari i tij, Vioresin Sinani, golashënuesi më i mirë i sezonit 2004-2005. Mesfushori Ervin Bulku, autori i golit të minutës së 31-të ishte shënuesi tjetër i shtatë golave të Tiranës së Mirel Josës. Me një rezultat të tillë Tirana ka fituar me Partizanin dhjetë sezone më parë.
Kastrioti i bëri rezistencë Tiranës vetëm pjesës së parë, kur arriti të shënojë dy gola në këtë 45-minutësh, kur realizoi me anë të Orjand Abazaj dhe Gabriel Osusi. Në pjesën e dytë, sulmuesi i Kombëtares U-21, Orjand Abazaj shënoi golin e tretë për Kastriotin por dhe të fundit të takimit.
22-herë kampionët e Shqipërisë bënë kështu një autokritikë të "shendoshë" pas barazimit të ndeshjes së javës së parë me Elbasanin (2-2).
Tirana me 9 gola në dy ndeshje dhe me katër pikë po në aq të tilla, ndodhet përkohësisht në vendin e parë me pikë të barabrata me Vllazniën që barazoi 1-1 me Besën në Kavajë.
Hamdi Salihi u ngjit në kuotën e 4 golave në 2 ndeshje, ndërsa pas tij renditet Vioresin Sinani (Tirana) dhe Roland Nenaj (Flamurtari).
SKEDA
TIRANA-KASTRIOTI 7-3
E shtunë, 9 shtator 2006, ora 15:00
Stadiumi "Selman Stërmasi", Tiranë
Spektatorë: 2500
Golashënues: 1-0 Salihi(T) 23', 2-0 E. Bulku (T) 33', 2-1 Abazaj (K) 34', 3-1 Salihi(T) 35', 4-1 Sinani(T) 38', 4-2 Osusi(K) 40' 5-2 Sinani(T) 47', 6-2 Salihi(T) 74', 7-2 Sinani 88', 7-3 Abazaj(K) 89'
Tirana: Nallbani, Pisha, Dede, Abraham, Patushi, Bulku (Penja 75'), Fish (Bakalli 81'), Sefa (Allmuca 30'), Muka, Sinani, Salihi. Trajner: Mirel Josa
Kastrioti: Koci, Auia, Dushku, Grami, Pashja, Osusi, Rustami (Gallo 73'), Hasa, Turdiu (Maho 58'), Ziambo, Abazaj. Trajner: Ramazan Ndreu.
Gjyqtarë: T. Latifi, F. Elezi, P. Goxho.
Kartona të verdhë: Sinani / Osusi, Auia.
BILANCI TIRANA-KASTRIOTI
10 ndeshje; 5 fitore Tirana, 5 barazime, 0 fitore Kastrioti. Golat: 21-7.