Migen Memelli jo vetëm është golashënuesi më i mirë i Tiranës në kampionat, 7 gola, por edhe në Kupën e Shqipërisë, ku ka realizuar në tre takime jo pak, por 8 gola nga 10 gola që ka shënuar në total bardheblutë (1 gol mban firmën e Daniel Xhafajt e 1 tjetër atë të Muzakës ).



Kështu, në total sulmuesi korçar -  një prej blerjeve të bujshme të presidentit Refik Halili në merkaton verore – ka shënuar për fanellën rekordmenëve shqiptarë plot 15 gola.



Ish-sulmuesi i Bran Bergenit (Norvegji) dhe Gaid (Suedi) është shndërruar në “killerin” e Lushnjës, pasi u ka shënuar verdhejeshilëve shtatë gola në dy përballjet e këtij edicioni në Kupë, ku vetëm sot i shënoi 5 gola në fitoren 5-0 të bardhebluve, duke i siguruar një kalim të qetë në çerekfinale 13-herë fituesve të Kupës së Shqipërisë. 



Një gol në pjesën e parë (36’) dhe katër gola në 45 minutat e dyta ( 63’, 67’, 82’ (11-m), 88’) dëshmuan potencën e jashtëzakonshme të bomberit korçar të Tiranës. Memelli shënoi në takimin e parë në Roza “Roza Haxhiu” dy nga katër golat e shënuar nga Tirana në fitoren 4-1 ndaj Lushnjës.



Sa për statistikë, Memelli shënoi edhe golin e fitores 1-0 të Tiranës në ndeshjen e kthimit kundër Tërbunit të Pukës, teksa takimi i parë në Pukë kishte përfunduar në barazim 1-1 (gol i Xhafajt për bardheblutë).



Tirana, që për herë të fundit ka fituar Kupën e Shqipërisë (të 13-ën) në edicionin 2005-2006 (në finale me Vllazninë), merr pjesë në çerekfinale për të 45-n herë, ku do të përballet në sfidat e dyfishta me Elbasanin, takime që do të luhen vitin e ardhshëm, më 29 shkurt 2009, ndërsa ato të kthimit më 11 mars 2009.



Kjo është fitorja e dytë rresht me shumë gola e trajnerit të ri të Tiranës, Agustin Kola, duke përfshirë edhe fitoren 3-0 në kampionat kundër Apolonisë (dy gola të Daniel Xhafës e një i Andi Lilës). Ndeshja e ardhshme në kampionat e Tiranës është kundër Flamurtarit në Vlorë. Në takimin e parë në kryeqytet Tirana fitoi 3-1 dhe të tre golat e bardhebluve mbajnë firmën e Migen Memellit.


E Merkure, 17 Dhjetor 2008