TIRANE- Drejtuesit e PS-së shtyjnë mbledhjen e Asamblesë Kombëtare që ishte menduar të zhvillohej nesër. Duke iu referuar burimeve zyrtare nga PS “Gazeta Shqiptare” shkruan sot se, vjen për shkak se PS-ja ende nuk e quan të përfunduar çështjen e zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës.

Kryetari i PS-së, Edi Rama do të vijojë sot takimet me strukturat e partisë në Lezhë, Kavajë, Tiranë rreth e Durrës, ndërsa nesër në qytetin e Kukësit dhe Dibrës, cka vërteton se mbledhja e Asamblesë nuk do të mund të mbahet, në 29 qershor, ashtu siç vetë Rama e lajmëroi në mbledhjen e fundit.

Të njëjtat burime bëjnë të ditur se Asambleja mund të mblidhet në fundjavë, ditën e shtunë, por nuk përjashtohet mundësia që sipas rastit, të ketë një tjetër shtyrje. Kjo Asamble do të duhet të marrë një vendim të qartë në lidhje me qëndrimin dhe aksionin politik që duhet të ndjekë partia më e madhe në opozitë, në rast se nuk do të plotësohet kërkesa e saj për shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në Tiranë.
(s.g/balkanweb)