Tirana bën autogol në Laç në ndeshjen e fundit të fazës së parë të Kategorisë Superiore. Kjo jo vetëm për devijimin e mbrojtësit Tefik Osmani që nxori jashtë loje portierin Nallbani dhe u dha tri pikët kurbinasve, por edhe për faktin se ndërprerja e rezultateve pozitive është shoqëruar me polemika. Tekniku Alban Tafaji ka kursyer vetëm kapitenin Devi Mukaj, ndërsa është shprehur kundër të gjithë lojtarëve të tjerë të skuadrës. Ai ka folur me rezerva edhe për gjyqtarët, duke e cilësuar arbitrimin "në nivelet e viteve ‘90": me fjalë të tjera në periudhën kur ekipi vendas dilte gjithmonë i fituar nga fusha. Me humbjen e djeshme 1-0, kampionët në fuqi shkëputen sërish nga kreu, ku Dinamo ndodhet 12 pikë larg. Kjo ndalesë në fushën e Laçit vjen pas tri fitoreve radhazi, rezultate falë së cilave bardheblutë u ngritën deri në vendin e katërt në tabelë, madje duke u shtuar edhe shpresat se lufta për titull ishte ende e hapur.



Por, në fushën e lojës, 24 herë kampionët kanë treguar të njëjtat probleme: apatikë dhe të paqartë në ndërtimin e aksioneve. Ata nuk kanë mundur të reagojnë përballë avantazhit të vendasve të drejtuar nga Stavri Nica, të cilët shënuan vetëm pak sekonda përpara mbylljes së fraksionit të parë të lojës. I pambështetur si duhet nga skuadra dhe i mbuluar me shumë kujdes nga kundërshtarët, Memelli ka gjuajtur vetëm një herë në portë, ndërsa aktivizimi i Abilaliajt nuk i dha sulmit rrezikshmërinë që pretendohej. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Mukajn, që në çdo kontakt me topin vuante presingun e kundërshtarëve, të cilët e mbulonin me dy ose tre lojtarë. Edhe pse kryeqytetasit janë munduar të gjejnë rrjetën, mundësia më e mirë për të shënuar në pjesën e dytë kaloi nga këmbët e Norës. Duke përfituar nga hapësirat në mbrojtjen e bardhebluve, të cilët ishin hedhur të gjithë në kërkim të barazimit, sulmuesi tentoi me shumë zgjuarsi një parabolë nga distancë e largët. Megjithatë, për fatin e tij të keq, topi përfundoi vetëm pak centimetra jashtë portës së Nallbanit. "Në këtë ndeshje na mposhti euforia. E kishim të qartë që Laçi ka një ekip shumë të fortë, megjithatë kam shumë rezerva edhe për gjykimin: për atë që pashë në fushë, arbitrimi ishte në nivelet e viteve ‘90", deklaroi trajneri Tafaj. "Natyrisht që nga përgjegjësitë nuk mund të përjashtoj futbollistët, ku i vetmi përjashtim ishte Mukaj, i cili u mundua të bënte diçka, por ishte i vetëm. Lojtarët nuk kanë dhënë atë që prisja prej tyre. Unë e njoh mirë potencialin e secilit dhe mund të them se kjo që pamë sot (dje) nuk është Tirana e vërtetë. Zhvilluam një nga ndeshjet më të dobëta: u lamë shumë hapësira kundërshtarëve, thuajse gjithmonë humbnim kontrollin e topit".



Kjo ishte humbja e katërt për Tiranën në 11 ndeshje të zhvilluara në kampionat. Ecuria në këtë sezon komprometohet edhe më shumë prej dy ndeshjeve të njëpasnjëshme jashtë fushe që e presin skuadrën e Tafajit në fazën e dytë (në Vlorë dhe Korçë). Gjithsesi, tekniku ende nuk e ka humbur besimin se skuadra e tij do të dijë të kthehet në garë: "Pavarësisht humbjes në Laç dhe diferencës së madhe nga Dinamo e vendit të parë, nuk mund të them se jemi jashtë luftës për titullin kampion. Dinamovitët mbeten rivali ynë kryesor deri në fund të sezonit dhe tashmë ata janë një ekip i kompletuar".