Pas paralajmërimit të ashpër të presidentit Refik Halili pas rezultateve të dobëta në kampionat, Tirana e nisi autokritikën në Kupën e Shqipërisë. Bardheblutë fituan 4-1 në Lushnjë, me katër gola të realizuar në pjesën e dytë, duke përmbysur avantazhin e vendasve të krijuar në fundin e pjesës së parë. Kapiteni i Lushnjës, Gentian Çela goditi nga pika e bardhë, portieri i Tiranës arriti të grushtojë topin, por sfera u rikthye sërish në këmbët e Çelës, që kësaj radhe shënoi në minutën e parë shtesë. Në fraksionin e dytë 13-herë fituesit e Kupës së Shqipërisë shkarkuan gjithë dufin e mbledhur, falë dopjetës së Migen Memellit (dy asistë të Ansi Agollit) në minutat 47’ e 58’. Sulmuesi pogradecar, i cili me 6 gola është edhe shënuesi më i mirë i Tiranës në kampionat, është edhe më produktivi në Kupë, teksa ka shënuar 3 gola në dy ndeshjet ku ai është aktivizuar, përfshirë edhe takimin kundër Tërbunit, të fituar 1-0 nga bardheblutë. Gjergji Muzaka në minutën e 68-të dhe Florenc Arapi në të 91’ vulosën edhe rezultatin 4-1, duke e bërë më të lehtë ndeshjen e kthimit në Tiranë. Ndeshja u zhvillua nën reshjet e shiut e në prani të shumë pak shikuesve në “Roza Haxhiu”.



GRUPI B

Lushnja-Tirana        1-4


E Merkure, 03 Dhjetor 2008