Tirana-Lushnja-800x415Nga Olsi Tujani


Bardheblutë kanë pësuar një disfatë tjetër, eliminohen në kupë. Ekipi sështë i qetë, fiton në 90 minuta dhe humbet në shtesë


Lushnja ka eliminuar Tiranën në Kupën e Shqipërisë. Pas fitores në ndeshjen e parë, miqtë kanë arritur të sigurojnë kualifikimin në minutat shtesë të ndeshjes së luajtur në Qemal Stafa. Loja e rregullt është mbyllur me fitore të bardhebluve, ndërkohë që pas shtesës prej 30 minutash, Lushnja ka arritur të shënojë golin e kualifikimit. Edhe pse e kanë nisur lojën me grindë dhe dëshirë për të arritur kualifikimin, bardheblutë nuk kanë arritur të sigurojnë kalimin për në fazën tjetër. Magani ka preferuar që të nisën lojën që nga minuta e parë me dy sulmues, ku përkrah Çotës luan i riu Hoxha.


Ndeshja ka nisur me një rast të pastër për Tiranën, ku që në aksionin e parë të kryeqytetasve Çota del ballë për ballë me portierin Spaho dhe nuk arrin ta kalojë këtë të fundit. Sulmuesi bardheblu nuk ka arritur të godasë siç duhet për të kaluar portierin dhe për të çuar topin drejt rrjetës. Gjatë pjesës së parë kryeqytetasit kanë dominuar ndeshjen, por nuk kanë arritur të tregohen të saktë para portës së Lushnjës. Përveç Çotës që ka shpërdoruar disa raste të pastra për shënim, është edhe sulmuesi tjetër që në disa raste ka fituar dyluftimin me mbrojtësin shtatlartë Gjelkanoviç, por nuk ka arritur të godasë siç duhet për të kaluar Tiranën në avantazh.


Loja nga krahët me Kërçikun nga e djathta dhe me Kotobellin nga e majta, është mjaft shqetësuese për mbrojtjen lushnjare, të cilës i vijnë krosime nga të dyja krahët. Mesfushori Dorian Kërçiku ka krijuar një aksion personal, ku pasi është futur nga e djathta në qendër të zonës, ka arritur të godasë fuqishëm drejt portës. Topi i tij e ka gjetur portierin Spahio të përgatitur, që e dërgon topin në goditje këndi. Rreth gjysmës së dytë të pjesës së parë, është mesfushori Taku, që ka rastin e artë për të kaluar Tiranën në avantazh, por goditja e tij është e dobët dhe pa problem për portierin e Lushnjës.


Janë minuta të mira për bardheblutë, të cilët kanë fituar një goditje dënimi në afërsi të zonës. Mesfushori Erando Karabeci ka ekzekutuar mrekullisht, duke shënuar një gol të mrekullueshëm. Tirana kalon në avantazh dhe barazon rezultatin e përgjithshëm 1-1. Me kaq është mbyllur pjesa e parë. Në pjesën e dytë ekipi i Maganit e nis mjaft mirë, ku Dorian Kërçiku arrin të driblojë mrekullisht lojtarët e Lushnjës, dhe del përpara portierit Spaho, i cili tregohet më i shpejtë se mbrojtësi bardheblu duke larguar rrezikun.


Pak minuta më vonë, një tjetër rrezik vjen për lushnjarët. Nga i njëjti krah dhe nga i njëjti lojtar, ku Kërçiku del përpara portës duke goditur, por topi i tij është pritur nga portieri Spaho. Lushnja është e pafuqishme për të reaguar dhe pret vetëm të shfrytëzojë kundërsulmin, por mbrojtësit Sina, Vrapi dhe Pashaj janë të pagabueshëm për bardheblutë. raste të pafundme kanë pasur bardheblutë edhe në fundin e takimit për të mbyllur ndeshjen dhe për të siguruar kualifikimin, por nuk ia kanë dalë mbanë. Ndeshja përfundon 1-0, dhe takimi kalon në kohën shtesë.


 


Shtesa


Pas barazimit të rezultatit të përgjithshëm, ndeshja është dashur të kalojë në minutat shtesë. Në pjesën e parë të shtesës bardheblutë fillojnë të ndiejnë lodhjen, ndërsa miqtë nuk tregohen të qartë në lojën e tyre. Ka pasur disa raste të bardhebluve që nuk janë shfrytëzuar nga dyshja e sulmit, Çota-Semedo. Në pjesën e dytë të shtesës, bardheblutë kanë mbetur me dhjetë vetë në fushën e lojës, pasi Dorian Kërçiku është ndëshkuar me kartonin e dytë të verdhë duke i lënë bardheblutë me një lojtar më pak në fushën e lojës. Një aksion më vonë, pas një goditjeje dënimi, Lushnja ka shënuar gol me anë të Cankës që ka goditur saktë me kokë një top të krosuar nga e majta. Barazim 1-1 dhe ky gol i jep kualifikimin skuadrës lushnjare që duhet të presë edhe pesë minuta lojë për të nisur festën.