Tirana festoi sot 99 vjetorin e shpalljes Kryeqytet i Shqipërisë. Bashkia e Tiranës organizoi një sërë aktivitetesh jo vetëm në përkujtim të çasteve më të rëndësishme të historisë së Tiranës Kryeqytet, por edhe promovojnë vlerat e saj si kryeqendër e të gjithë shqiptarëve. Në fjalën e mbajtur në ceremoninë zyrtare, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shprehu mirënjohje për të gjithë ata që në këto 99 vite kanë kontribuar për ta zhvilluar Tiranën dhe theksoi se sot ajo është një kryeqytet modern, i denjë për të gjithë shqiptarët.


Kongresi i Lushnjës njihet si Kongresi i Shpetimit, por jam i bindur se mund të cilësohet edhe si Kongresi i Zhvillimit të shtetit dhe të kryeqytetit shqiptar. Tirana eshte sot kryeqyteti i denjë, modern, metropolitan i Shqiperise, pavarësisht se ende nuk është perfekt. Realisht jemi ne vitin e 99 te jetes se ketij kryeqyteti, qe eshte krejt i patjetersueshem dhe i pazevendesueshem nga asnje qytet tjeter i trojeve shqiptare. Tirana po mbush shekullin e vet dhe sa ka filluar vitin e fundit të 100-vjetorit të parë, e në këtë 100-vjetor, kronologjia historike, levizja e koherave dhe e ngjarjeve kanë qene te shumta, por ka mbetur e palekundur simbolika qenderzuese dhe semantika perfaqesuese e Tiranes per te gjithe shqiptaret, tha kryebashkiaku Veliaj.


Ai u ndal në momentet dhe periudhat më të rëndësishme në të cilat ka kaluar historia e kryqytetit shqiptar, që nga shpallja, monarkia, periudha e pushtimit, diktatura, tranzicioni demokratik dhe për të mbërritur në ditët e sotme, ku Tirana jo vetëm kujton e nderon të shkuarën e saj, por edhe punon për të qenë një kryeqytet i denjë i një shteti që kërkon të integrohet në Bashkimin Europian.


Tirana ishte gjithashtu pjesë e ndryshimeve demokratike, ishte kyç në ndryshimet demokratike dhe në transformimin në nje shoqerie liberal demokratike, e Shqipërisë si Gjithë Europa. Tirana ishte ajo që frymëzoi lëvizjet studentore, dhe jam shumë i lumtur sot që kemi rikthyer vëmendjen tek studentët, me gjithë punët që Bashkia e Tiranës po kryen në konvikte, dhe me gjithë transformimin e gjithë asaj hapësire ku lindi në fakt e gjithë lëvizja demokratike, u shpreh Veliaj.


Kreu i Bashkisë së Tiranës theksoi periudhën e pas viteve 2000, kur kryeqyteti shqiptar rilindi për tu shndëruar në një kryeqytet modern. Ne patëm një rilindje të jashtëzakonshme të qytetit të Tiranës në fund të viteve 90 dhe gjatë gjithë dekadës së parë të viteve 2000 me Edi Ramën dhe administratën transformuese në Bashkinë e Tiranës. Ishte një rilindje e parë e qytetit pas zaptimeve, pushtimeve, dhe rrumpallës së viteve 90. Sot mund të flasim denjësisht për një Tiranë metropolitane, që filloi nga viti 2000. Bulevardi i Ri është tashmë korridori i zhvillimit të Tiranës për 100 vitet e ardhshme. Tirana me sheshe të denja dhe perfaqesuese si kudo në botë, nga sheshi Skënderbej te sheshi Nën Tereza, apo edhe sheshi i ri që do të ndërtohet në fund të Bulevardit të Ri, shtoi ai.


Gazeta Shqip