Laureta Rryçi

Tirana u shpall kryeqytet i Shqipërisë në vitin 1925. Mirëpo, tradita e çdo qyteti për të respektuar mysafirët ndryshe, për Bashkinë e Tiranës daton në 1937. Tashmë kanë kaluar plot 83 vite dhe lista e personazheve që kanë marrë titullin “Qytetarë nderi të Tiranës” ka shkuar në 20. Gazeta “Albania” sjell në numrin e sotëm jo vetëm identitetin e këtyre personazheve por edhe motivacionet që janë marrë parasysh nga këshilli bashkiak për të nderuar këto figura. I pari që i është gëzuar këtij titulli ka qenë një personazh jo pak i njohur në sallonet jo vetëm aristokrate të asaj kohe të Italisë. Konti Gelacio Ciano, me vizitën që kreu në Shqipëri u mendua që të nderohej edhe nga autoritetet e kryeqytetit shqiptar për të nisur kështu një traditë që është më shumë e harruar deri në fillim të viteve 90-të. Ndërkohë tjetër mendim kanë pasur kryebashkiakët që janë zgjedhur pas rrëzimit të sistemit totalitar. Madje për shkak edhe të mandateve të fituara njëra pas tjetrës, për momentin Edi Rama mbetet kryebashkiaku që ka vlerësuar më tepër figura të shquara. Ndërsa bashkëjetesa fetare në vend është menduar të reflektohet dhe në tituj për bashkinë e metropolit shqiptar. Nderimi i të gjithë drejtuesve të komuniteteve fetare të vendit ka qenë propozimi i fundit i Kryebashkiakut Rama. Propozim që u miratuan nga këshilli bashkiak në vitin 2005. Prej tre vitesh propozimet për “Qytetarë Nderi të Tiranës” vazhdojnë të mungojnë deri në ditët e sotme.

Para ‘90

Jo vetëm pas Luftës së Parë Botërore por edhe deri në rrëzimin e regjimit komunist paria e bashkisë së Tiranës ka propozuar vetëm dy figura për t’u nderuar me titullin “Qytetar nderi i Tiranës”.

Vizita e një aristokrati që kishte detyrë të rëndësishme në një nga shtetet që ishin Fuqitë e Mëdha të botës nuk kishte se si të mos nderohej. Mbërritja e Kontit Galeacio Ciano në Shqipëri në vitin 1937 midis nderimeve të tjera u vendos t’i jepet titulli “Qytetar nderi i Tiranës”. Duke shënuar kështu jo vetëm mysafirin e parë të nderuar por edhe të vetmin deri në vitet 1959 kur Shqipërinë e kishte përfshirë një tjetër valë politike. Dashuria e madhe mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik që ekzistonte në vitet 50-të natyrisht që u shoqërua me vizita nga të dyja palët. Mirëpo historike për vendin tonë do të shënohej vizita e Nikita Khrushov ku përveç detajeve të tjera të mikpritjes ishte menduar të nderohej dhe si vizitor dhe mik i special i kryeqytetit në ato kohëra.

Pas ‘90

Pjesa më e madhe e titujve “Qytetarë nderi i Tiranës” është dhënë pas viteve 1990. Kryebashkiakët e Tiranës që realisht periudha pas ’90 ka njohur vetëm tre duke nisur nga Sali Kelmendi, më pas Albert Brojka e deri në ditët e sotme kanë menduar më shpesh për të respektuar figura që kanë dhënë kontribut në fusha të ndryshme. Personaliteti i parë që është nderuar ka qenë kryeministri i Malajzisë, Mahatir Bin Mohammed. Më pas një personazh kretj ndryshe. Na bënte të qeshnin të gjithë kur shfaqej në ekran. Humoristi që të gjithë e njohim në nofkën Pitkini, teksa kishte ardhur për të parë ndeshjen mes Anglisë dhe Shqipërisë iu bënë të gjitha nderimet ashtu siç i kishte hije. Ishte viti 1995 dhe Norman Wisdom nderohet me titullin “Qytetar nderi i Tiranës”. Më pas lista e nderimeve vijon me piktorin që me kubizmin e tij bëri që të njihej dhe Shqipëria. Propozimi në atë kohë erdhi nga kryetari i bashkisë, Sali Kelmendi me motivacionin si personalitet i shquar i artit bashkëkohor në fushën e pikturës. Cilësohet si një figurë e dashur dhe e shquar me të cilën krenohet qyteti i Tiranës, kryeqyteti i Shqipërisë. Më pas titulli i jepet sërish një personazhi me origjinë austriake që vlerësohej për kontributin që kishte dhënë për vendin tonë. Ëolfgang Schussel, Zëvendës Kancelar Federal dhe Ministër i Jashtëm i Austrisë u vlerësua me titullin “Qytetar nderi i Tiranës” në vitin 1996 gjatë vizitës në Shqipëri. Pas dy vitesh do të ishte një tjetër kryebashkiak që do të vlerësonte jo vetëm figurën e Osman Kazazit, nacionalist por edhe të Azem Hajdarit që është cilësuar si pishtari i demokracisë. Ndërkohë që një vit më pas me të njëjtin titull nderohet dhe shkrimtari i njohur, Ismail Kadare.

Tri mandate

Kryebashkiaku Edi Rama në tri mandate ka propozuar si miq të veçantë për Tiranë një sërë personazhesh të njohura brenda dhe jashtë vendit. Mjeku Hysen Kazazi, i njohur në fushën e Ortopedisë dhe piktori Sadik Kaceli u vlerësuan në vitin 2000 me titullin “Qytetar nderi i Tiranës” për të vijuar një vit më pas me të njëjtin nderim për shkrimtarin e njohur Dritëro Agolli.

Po kështu listës së madhe me emrat e nderuar i është bashkangjitur dhe George Soros, Filantropist me origjinë Hungarezo-amerikan si dhe njeriu i letrave përkthyesi i njohur Robert Zhvarc. Ndërkohë që propozimet për qytetarë nderi nuk kanë kaluar dhe pa debate. Më shumë replika pati në propozimin për qytetarë nderi për Kryepeshkopin Anastas Janullatos. Përfaqësues të partive të ndryshme në këshillin bashkiak shprehën mendime të po aq të ndryshme në lidhje me këtë propozim. Megjithatë propozimi i Ramës gjeti miratim duke vlerësuar njëherësh të gjithë drejtuesit e komuniteteve fetare në vend. Mirëpo vendimet e 2005-s vazhdojnë të jenë të fundit për bashkinë e kryeqytetit. Kanë kaluar tre vite dhe akoma nuk ka ndonjë propozim të ri për emrin e ardhshëm të mundshëm për këtë titull nderi.







1. Konti Galeacio Ciano, Ministër i Jashtëm i Italisë gjatë Luftës së Dytë Botërore. “Qytetar Nderi i Tiranës” i vitit 1937 gjatë vizitës në Shqipëri



2. Nikita Khryshov, Sekretari i Parë i Komitetit Qendor Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike, Kryeministër i BRSS-s

“Qytetari nderi i Tiranës” i vitit 1959 gjatë vizitës në Shqipëri



3. Mahatir Bin Mohammed, Kryeministri i Malajzisë “Qytetar nderi i Tiranës në vitin 1993



4. Norman Wisdom (Pitkini), Aktor Humorist Anglez

“Qytetar nderi i Tiranës” i vitit 1995 gjatë vizitës në Shqipëri



5. Ibrahim Kodra, Piktor i Shquar në jetën artistike Italiane me origjinë shqiptare. “Qytetar nderi i Tiranës” i vitit 1996 gjatë vizitës në Shqipëri.



6. Wolfgang Schussel, Zëvendës Kancelar Federal dhe Ministër i Jashtëm i Austrisë. “Qytetar nderi i Tiranës” i vitit 1996 gjatë vizitës në Shqipëri



7. Osman Kazazi, veprimtari nacionalist gjatë pushtimit gjerman dhe italian, “Qytetar nderi i Tiranës” në vitin 1998 gjatë vizitës në Shqipëri



8. Azem Hajdari, Veprimtar Politik Për demokraci. “Qytetari nderi i Tiranës” në vitin 1998



9. Ismail Kadare, Shkrimtar “Qytetar nderi i Tiranës” në vitin 1999



10. Shefqet Ndroqi, Doktor ”Qytetar nderi i Tiranës” i vitit 1999



11. Hans Peter Furrer, Drejtor Politik në Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës (me origjinë zvicerane). “qytetar nderi i Tiranës” i vitit 1999



12. Sadik Kaceli, Piktor “Qytetar nderi i Tiranës” i vitit 2000



13. Hysen Kazazi, Mjek i njohur popullor në fushën e Ortopedisë, “Qytetar nderi i Tiranës i vitit 2000



14. Dritëro Agolli, shkrimtar “Qytetar nderi i Tiranës” i vitit 2001



15. Robert Shvars, përkthyes me origjinë gjermane “qytetar nderi i Tiranës” në vitin 2002



16. George Soros, Filantropist me origjinë Hungarezo-amerikan “Qytetar nderi i Tiranës” i vitit 2005



17. Arqipeshkvi i Metropolit Rrok Mirdita, Kryetar i Komunitetit Katolik “Qytetari i nderit të Tiranës” i vitit 2005



18. Kryepeshkopi Anastas Janullatos, kryetar i Komunitetit Orthodoks shqiptar, “Qytetar nderi i Tiranës” i vitit 2005



19. Haxhi Hafiz Sabri Koçi, kryetar i Komunitetit Mysliman shqiptar, “Qytetar nderi i Tiranës” i vitit 2005



20. Baba Reshat- Bardhi, Kryegjyshi Bektashi Botëror “Qytetar nderi i Tiranës” i vitit 2005





















2 Gusht 2008