ASA (Albania Sport Agency)- Tirana realizoi fitoren e tretë sezonale me Dinamon dhe me të njëjtin rezultat: 2-1, por kjo e fazës së tretë ka ndryshimin e vetëm se nuk ishte Dinamo ajo që shënoi golin e parë, por Tirana me anë të një ish-dinamoviti, Eleandro Pema, i cili realizoi qysh në minutën e parë të takimit falë asistit të kapitenit Devi Muka. Sulmuesi i ri shënoi golin e dytë të tij ndaj Dinamos, pasi kishte shënuar edhe në fitoren e fazës së parë.
Vioresin Sinani dyfishoi rezultatin në minutën e 8 duke treguar qartë jo vetëm aftësinë e tij (tashmë në kuotën e 20 golave) por dhe potencën e Tiranës, që me fitoren e sotme realizoi shifrën 50 në 123 përballje me "Blutë" (31 barazime, 42 fitore Dinamo). Edhe për shkodranin Sinani ky ishte goli i dytë.
Goli i kroatit Darko Peric vetëm sa shkurtoi diferencën e golave, ndërsa Dinamo (shumë apatike) regjistroi humbjen e pestë radhazi dhe të 14-n në kampionat.
Tirana, në krye me 63 pikë, u shkëput edhe një pikë më shumë ndjekësi i saj i vendit të dytë, që nuk është më Vllaznia, por Teuta e cila fitoi me Partizanin në shtëpi.
TIRANA-DINAMO 2-1
Gol: Pema 1', Sinani 8'/ Peric 23'
Gjyqtar: Pajtim Lapi
TRI PËRBALLJET SEZONALE
TIRANA-DINAMO
Tri fazat: 2-1, 2-1, 2-1