Autori i Lajmit: Lili Saraci








Më në fund edhe Tirana do të jetë e gatshme për të pasur tramvaj në transportin publik. Ditën e djeshme kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ka prezantuar masterplanin për zhvillimin e transportit publik, që konsiderohet si zgjidhje e trafikut në kryeqytet. Masterplani i Bashkisë së Tiranës për zhvillimin e transportit publik, i cili përfundon në vitin 2020, parashikon ndërtimin e rrjetit urban hekurudhor ku përfshihen 20 km binarë në zonën urbane. Kështu, deri në vitin 2020 llogariten më shumë se 100 korsi të rezervuara për transportin publik dhe 88 km korsi të rezervuara për autobusët që lëvizin me një drejtim. Për, këtë transformim shumëplanesh kryebashkiaku Edi Rama vlerësoi mbështetjen e vijueshme të Bankës Evropiane për Zhvillim dhe veçanërisht përfaqësuesin e saj, Daniel Berg. Kryebashkiaku Edi Rama ka deklaruar se transporti konsiderohet nga qytetarët si një ndër prioritetet kryesore. Për këtë arsye, masterplani i hartuar dhe me ndihmën e ekspertëve të huaj i jep zgjidhje trafikut të rënduar dhe shtimit të lëvizjes së mjeteve. Në masterplan parashikohet transporti publik, si zgjidhja më e mirë për një zhvillim të qëndrueshëm urban dhe rrjedhimisht dhe për një cilësi më të mirë jetese. “Duke pasur në dorë masterplanin dhe duke pasur në dispozicion gjithë hartën e projekteve që duhet të nisim e të realizojmë për të filluar zbatimin e këtij masterplani, kemi në dorë instrumentin që na duhet për të përballuar sfidën e rritjes së lëvizjes dhe të transportit në kryeqytet. Kemi në dorë instrumentin që na duhet për të bërë të mundur që cilësia e transportit publik të rritet”,- ka pohuar ditën e djeshme Rama, gjatë prezantimit të masterplanit. Faza e parë e zbatimit të masterplanit parashikohet periudha 2010-2011. Projektet e kësaj faze do të jenë të hapura për publikun duke filluar nga muaji i ardhshëm në pavijonin e qelqit në sheshin “Skënderbej”, për mendime dhe komente. Masterplani parashikon optimizimin e sistemit ekzistues të transportit publik si dhe ndërtimin e linjave të reja. Kështu, deri në vitin 2020, do të ndërtohen më shumë se 100 kilometra krosi të rezervuara për transportin publik dhe 88 kilometra korsi të rezervuara me një drejtim. Gjithashtu, do të ketë ndërhyrje në rrjetin ekzistues të shërbimit ku do të modifikohen 4 linja ekzistuese dhe do të shtohen 2 linja të reja deri në vitin 2011. Ndërkohë, deri në fund të zbatimit të masterplanit në vitin 2020, do të shtohen dhe 6 linja të tjera duke shtuar këtu edhe linjat unazore.



Ja çfarë parashikon masterplani i Bashkisë



Ky masterplan thekson optimizmin e sistemit ekzistues të transportit publik ashtu edhe shtimin e rrjetit të linjave të reja. Deri në vitin 2020 llogariten më shumë se 100 korsi të rezervuara për transportin publik dhe 88 km korsi te rezervuara për autobusët që lëvizin me një drejtim. Megjithatë, ky masterplan ka si synim kryesor korsitë e rezervuara për transportin publik që do të ndikojnë në reduktimin e trafikut me mjete private, me shumë siguri, ulje e kosto së shërbimit, respektim i orareve të shërbimit dhe të frekuencës kohore.







Përurohet restaurimi i kullës së Sahatit



Ditën e djeshme kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ka përuruar restaurimin te kulla e Sahatit, i cili është bërë në bashkëpunim me ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si dhe me mbështetjen kryesore të Bashkisë së Tiranës. I pranishëm në këtë përurim ishte edhe ambasadori i SHBA-së. Në fjalën e tij ambasadori Xhon Uidhers, duke i bërë një përmbledhje historisë së kësaj kulle, theksoi se shpreson që të ketë sa më shumë projekte të tilla që i shërbejnë kulturës shqiptare. Kryebashkiaku Edi Rama, në fjalën e tij, në ceremoninë e përurimit të restaurimit të Kullës së Sahatit, theksoi se ky restaurim do t’i sjellë shkëlqimin Tiranës, duke shtuar se ky është një moment sa simbolik, aq edhe i këndshëm. "Pas shumë vitesh ora në kullën e Sahatit do të tregojë orën e saktë edhe këmbana e orës do të bjerë sipas programit që ka pasur”, - theksoi Rama. Sipas të dhënave që janë bërë publike për median, restaurimi është bërë nga ambasada e SHBA-së me një fond prej 30 mijë dollarësh.









Ky lajm është publikuar: 19/03/2010